Të shqetësuar nga Kina e Rusia, pakti AUKUS do të zhvillojë raketa hipersonike - NACIONALE

Të shqetësuar nga Kina e Rusia, pakti AUKUS do të zhvillojë raketa hipersonike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i administratës së Biden, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia po planifikojnë të punojnë së bashku nëpërmjet aleancës së sigurisë të krijuar së fundmi, e njohur si AUKUS, për të zhvilluar raketa hipersonike.

Associated Press, shkruan se kjo lëvizje vjen në mes të shqetësimit të ShBA-së dhe aleatëve për vendosmërinë ushtarake në rritje të Kinës në Paqësor.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë munduar për shumë kohë të zhvillojnë raketat hipersonike, në një sistem aq të shpejtë sa raketat nuk mund të kapen nga asnjë sistem aktual i mbrojtjes raketore.

Në tetor, gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, konfirmoi se Kina kishte kryer një test të një sistemi të armëve hipersonike si pjesë e përpjekjes së saj agresive për të avancuar në hapësirë ​​dhe në teknologjitë ushtarake.

Milley, në një intervistë për televizionin Bloomberg, e përshkroi testin kinez si një "ngjarje shumë domethënëse të një testimi të një sistemi të armëve hipersonike, dhe shumë shqetësuese".

E ndërsa zyrtarët e inteligjencës amerikane ishin bërë gjithnjë e më të shqetësuar për grumbullimin e forcave ruse në kufirin me Ukrainën, vjeshtën e kaluar presidenti rus Vladimir Putin u kërkoi prodhuesve të armëve të vendit të zhvillonin raketa hipersonike edhe më të avancuara për të ruajtur avantazhin e Rusisë në teknologjitë ushtarake.

Ushtria ruse ka thënë se sistemi i saj Avangard është në gjendje të fluturojë 27 herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe të bëjë manovra të mprehta në rrugën e saj drejt një objektivi për të shmangur mburojën raketore të armikut - montohet në raketat balistike ndërkontinentale ekzistuese të ndërtuara nga sovjetikët në vend të kokave të tipit të vjetër, dhe njësia e parë e armatosur me Avangard u krijua në dhjetor 2019.

Presidenti Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe kryeministri australian Scott Morrison në shtator njoftuan krijimin e AUKUS, një aleancë e re sigurie Indo-Paqësore që do të lejojë ndarje më të madhe të aftësive mbrojtëse, duke përfshirë ndihmën për pajisjen e Australisë me nëndetëse me energji bërthamore.

Lajme të ngjashme