Të paktën gjashtë të vdekur e 11 të zhdukur nga zjarri në një bujtinë në Zelandë të Re
Zelanda e Re u tmerrua të martën pas shpërthimit të zjarrit në një bujtinë në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington, ku raportohet për të paktën gjashtë të vdekur e 11 të tjerë të zhdukur.
Bujtina “Loafers Lodge” në pjesën jugore të qytetit u kaplua nga zjarri pak pas mesnatës të martën. Deri në agim, katet e sipërme të bujtinës u bënë shkrumb, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryeministri Chris Hipkins e vizitoi vendin e ngjarjes të martën në mëngjes dhe tha se të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe se numri i viktimave mund të rritet. “Kuptova për gjashtë të konfirmuar më parë dhe duket se ka gjasa që të ketë më shumë (viktima)”- tha ai.
Ky zjarr është prej më vdekjeprurësve në shtetin e largët në pesë dekadat e fundit.
Pasi kulmi i ndërtesës është shembur dhe disa pjesë të tjera të tij janë të paqëndrueshme, autoritetet kanë paralajmëruar se do të nevojitet ca kohë për t’i tërhequr dhe identifikuar të gjithë trupat, ndërsa të afërmit ballafaqohen me pritje të gjatë për lajme.
Kontrolluesi i incidenteve të emergjencës dhe zjarrit, Bruce Stubbs, tha të martën pasdite se autoritetet i kanë lokalizuar trupat e gjashtë personave, por se ende nuk kanë mundur t’i nxjerrin.
Kriza e strehimit në Zelandë të Re nënkupton që një numër në rritje i njerëzve të pastrehë janë vendosur për afat të gjatë nga autoritetet në motele dhe bujtina.