Të paktën 35 të vdekur nga bora e befasishme e shiu i dendur në Pakistan - NACIONALE

Të paktën 35 të vdekur nga bora e befasishme e shiu i dendur në Pakistan

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 35 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, pasi shiu i ftohtë dhe bora e papritur goditën zona të largëta të Pakistanit gjatë fundjavës.

Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive tha se në mesin e viktimave ishin 22 fëmijë. Sipas tyre, shumë prej viktimave u shtypën nga rrëshqitja e dheut që i mbuloi shtëpitë e tyre, raporton televizioni BBC.

Moti i ashpër i goditi rajonet veriore dhe perëndimore të Pakistanit, duke bllokuar rrugë e duke dëmtuar qindra shtëpi.

Ekspertët u befasuan nga bora, sepse Pakistani ka zakonisht mot me lagështi në mars.

Mushtaq Ali Shah, ish-drejtor i departamentit të meteorologjisë në Pakistan, tha se kushtet e pazakonshme të motit erdhën si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Hajit Shah, banor i distriktit Kirk të provincës Khyber Pakhtunkhwa, tha se ai e kishte parë borën në lagjen e tij vetëm një herë më parë në jetë.

“Aq sa mund të mbaj në mend, ishte një borë e lehtë për pak minuta rreth 25 ose 30 vjet më parë” – i tha ai televizionit BBC.

Reshjet e dendura të shiut shkatërruan tërësisht të paktën 150 shtëpi dhe pjesërisht dëmtuan 500 të tjera, thanë autoritetet.

Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë tërësisht në disa distrikte për disa ditë.

Departamenti i meteorologjisë tha në parashikimin javor se “moti kryesisht i ftohtë dhe i thatë” pritet në shumicën e pjesëve të vendit për pjesën e mbetur të kësaj jave, edhe pse në disa pjesë të Kashmirit dhe Baloçistanit mund të priten reshje bore në kodra.

Lajme të ngjashme