Të paktën 26 të vrarë nga sulmet në fshatra në Papa Guinenë e Re, shumica fëmijë
Të paktën 26 persona u vranë, përfshirë 16 fëmijë, nga një bandë e burrave të rinj në tri fshatra të Papua Guinenë e Re javën e kaluar, ka thënë policia e këtij shteti, duke shtuar se shtëpive të viktimave u ishte vënë flaka, ndërsa banorë të tjerë të fshatrave ishin ende të zhdukur.
Komandanti i policisë në Angoram, Peter Mandi, u tha gazetarëve të enjten se një numër i pavërtetuar i grave dhe vajzave gjithashtu u përdhunuan para se të vriteshin në fshatrat Tamara, Tambari dhe Angrumara, raporton gazeta “The Guardian”.
Përdhunimet dhe masakra u kryen nga një grup prej më shumë se 30 burrash të rinj nga një bandë që e quan veten “unë s’mërzitem”, shtoi zyrtari policor.
“Të mërkurën e kaluar, me datën 17, grupi i armatosur me pushkë, hanxharë e katapulta me tela e sulmuan fshatin Angrumara, dogjën shtëpi dhe vranë një burrë të moshuar dhe një djalë 5-vjeçar” – tha më tej Mandi.
“Ditën vijuese, ata e sulmuan fshatin Tambari, përdhunuan gra e vajza të reja dhe pastaj i prenë me hanxharë, u prenë edhe fëmijë të vegjël me hanxharë” – shtoi komandanti policor, duke thënë se tre persona janë konfirmuar të vdekur në Angrumara e 23 në Tambari e në mesin e viktimave janë 16 fëmijë.
Këto fshatra ndodhen në një zonë të largët që është vështirë të arrihet përmes rrugës dhe policia lokale shkoi atje vetëm të martën, ndërsa përforcimet mbërritën të enjten. Policia tha se do ta kërkonte bandën përgjatë Lumit Sepik dhe pret që numri i të vdekurve të rritet.
Shumë prej të mbijetuarve ikën në shkurret përreth zonës. Një i mbijetuar i masakrës në Tambari, i cili kishte arritur në stacionin e policisë në Angoram, tha se të gjitha shtëpitë e fshatit ishin djegur deri në themel dhe se banorët kishin ikur vetëm me rroba në shpinë, sipas një deklarate të policisë, ku shtohet se banorët lokalë kanë frikë për sulme të tjera nga kjo bandë.