Të paktën 22 somalezë të vdekur pas përmbytjes së dy barkave afër Madagaskarit
Së paku 22 shtetas të Somalisë vdiqën, kur dy barka me emigrant u përmbytën afër brigjeve të Madagaskarit në fundjavë, tha ministri i Informacionit i Somalisë, Daud Aweis.
Autoriteti i Porteve, Detit dhe Lumenjve (APMF) i Madagaskarit tha se barkat ishin nisur më 2 nëntor nga Somalia drejt territorit francez në Oqeanin Indian, Mayotte, lundrim prej disa qindra kilometrash, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të shtunën, autoritetet e portit raportuan se peshkatarët lokalë e zbuluan barkën e parë mbi ujë të premten afër Nosy Iranja-s. Ata shpëtuan 25 njerëz, përfshirë 10 burra e 15 gra, por shtatë të tjerë vdiqën, thanë autoritetet.
Një barkë tjetër me 39 njerëz në të arriti në Port du Cratere të Madagaskarit, sipas APMF-së. Autoriteti detar nuk e zbuloi numrin e të vdekurve për barkën e dytë, por e konfirmoi shpëtimin e 23 njerëzve.
Ministri i Informacionit, duke cituar të dhëna nga homologët e tij në Madagaskar, konfirmoi se numri i përgjithshëm i viktimave është 22.
“Ishin rreth 70 somalezë, 22 prej tyre vdiqën .Njëra barkë po bartte 38 njerëz dhe tjetra 32 njerëz” – tha ai të dielën vonë në televizionin shtetëror.
Në dekadat e fundit, mijëra njerëz janë munduar që të arrijnë në Mayotte, që ka standard më të lartë të jetesës dhe qasje në sistemin francez të mirëqenies./Nacionale