Të paktën 17 të vdekur nga përmbytja e barkës me refugjatë Rohingya afër Mianmarit - NACIONALE

Të paktën 17 të vdekur nga përmbytja e barkës me refugjatë Rohingya afër Mianmarit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 17 persona janë mbytur në ujë dhe 33 të tjerë janë të zhdukur, pasi një barkë me refugjatë të komunitetit Rohingya, që ishte nisur nga Mianmari drejt Malajzisë, u përmbyt të hënën.

Trupat e dhjetë grave dhe shtatë burrave janë gjetur, pasi kishin përfunduar në brigjet e Mianmarit, tha Bya Latt, zëdhënës i grupit shpëtues “Shwe Yaung Matta”. Sipas tij, tetë persona të shpëtuar janë duke u mbajtur në një stacion lokal të policisë, raporton gazeta “The Guardian”.

Në barkën e drunjtë ndodheshin 58 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi, kur një stuhi ndodhi afër bregdetit perëndimor të Mianmarit, afër kryeqytetit të shtetit Rakhine, Sittwe, të dielën në mbrëmje. Një operacion i përbashkët mes grupit të shpëtimit dhe policisë është duke u kryer për t’i gjetur personat e zhdukur.

Komuniteti Rohingya janë pakicë myslimane në shtetin me popullsi kryesisht budiste dhe, sipas OKB-së dhe grupeve për të drejtat e njeriut, pjesëtarët e këtij grupi janë në mesin e njerëzve më të përndjekur në botë.

Më 2017, shtypja ushtarake në Rakhine detyroi 750 mijë pjesëtarë të këtij grupi që të largoheshin nga shteti e të vendoseshin në kampe refugjatësh në Bangladesh. Rreth 600 mijë të tjerë kanë mbetur në Mianmar, por atyre u janë mohuar shtetësia dhe liria e lëvizjes.

Mijëra njerëz në vit bëjnë udhëtime të rrezikshme nga kampet e refugjatëve në Bangladesh dhe Mianmar për të kërkuar jetë më të mirë në shtetet me shumicë myslimane, Malajzi e Indonezi.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”,i ka krahasuar kushtet e jetesës së komunitetit Rohingya në Rakhine me aparteid ose segregim të institucionalizuar racor. Kur shteti u godit nga një stuhi në maj, qeveria ushtarake në Mianmar i bllokoi përpjekjet ndërkombëtare për t’u dërguar ndihma të prekurve nga komuniteti Rohingya.

Lajme të ngjashme