Të paktën dy të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Kinë, anulohen disa linja treni - NACIONALE

Të paktën dy të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Kinë, anulohen disa linja treni

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku dy persona kanë vdekur nga rrëshqitja e dheut pas reshjeve të dendura të shiut në periferi të Xi’an-it, në perëndim të Kinës, raportoi të shtunën një agjenci zyrtare e lajmeve, ndërsa disa linja të trenave në verilindje u anuluan për shkak të një stuhie të fuqishme në rajon.

Ekipet e shpëtimit ishin duke kërkuar 16 persona të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut të premten në fshatin Luanzhen, raportoi agjencia “Xinhua”, duke shtuar se janë dëmtuar rrugë, ura dhe linja të energjisë, përcjell agjencia “Associated Press”.

Në disa pjesë të Kinës ka reshje të dendura të shiut për çdo verë, por ky vit ka qenë jashtëzakonisht i rëndë në disa zona, ndërsa ca rajone të tjera ballafaqohen me thatësi që po i dëmton të mbjellat.

Në një pjesë tjetër, disa shërbime të trenave do të pezullohen nga e shtuna në mbrëmje në Shenyang, që është qyteti më i madh kinez në pjesën verilindore të vendit, si dhe në provincën Liaoning, për shkak të reshjeve të dendura të stuhisë “Khanun”.

Rreth 23 mijë persona u evakuuan nga qyteti verilindor, Shulan, në provincën Jilin, për shkak të reshjeve të dendura, sipas agjencisë “Xinhua”. Nuk u raportua menjëherë për ndonjë të vdekur apo të lënduar.

Gjithsej 142 persona në mbarë vendin kanë vdekur nga vërshimet, rrëshqitja e dheut dhe shiu i rrëmbyeshëm malor në korrik, sipas Ministrisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Në kryeqytetin Pekin dhe në provincën fqinje, Hebei, javën e kaluar u regjistrua më së shumti shi në 140 vjet, sipas autoriteteve.

Të premten, qeveria lokale në Hebei raportoi se numri i të vdekurve nga vërshimet këtë muaj të shkaktuara nga tajfuni “Doksuri” ka shkuar në të paktën 29. Numri zyrtar i viktimave nga vërshimet në Pekin shkoi në 33 këtë javë.

Lajme të ngjashme