Reshje të dendura e vërshime në Norvegji, evakuohen mijëra banorë
Banorët e Norvegjisë u përgatitën të enjten për më shumë vërshime e dëme, përderisa lumenjtë janë bërë më të vrullshëm e me më shumë ujë nga reshjet e dendura të ditëve të fundit në pjesën juglindore malore të vendit, ku shumë zona janë prekur nga vërshimet ose rrëshqitja e dheut.
Mijëra njerëz që jetojnë afër rrjedhave të ujit janë zhvendosur, shtëpitë i kanë zbrazur dhe veturat janë vendosur në zona më të larta, raporton agjencia “Reuters”.
Ka pasur frikë se një urë e hekurudhës mbi Lumin Lagen do të shembej për shkak të vëllimit të madh të ujit, por zyrtarët e hekurudhave thanë të enjten se ajo tani është e qëndrueshme. I tërë qarkullimi mbi këtë urë u ndërpre të hënën.
Të mërkurën, një digë shpërtheu pjesërisht, pasi lumi më i madh në Norvegji e kaloi nivelin dhe depërtoi nëpër strukturë. Komunitetet në zona më të poshtme ishin evakuuar dhe nuk është raportuar për pasoja në njerëz. Policia tha se situata në digë ishte duke u vlerësuar vazhdimisht.
Banorët e qytezës Honefossen, nëpër të cilën kalon Lumi Begna, u evakuuan, pasi një sasi e madhe e ujit u grumbullua në qendër të vendbanimit. Autoritetet nuk ofruan numër të personave të evakuuar, por transmetuesi norvegjez, NRK, tha se bëhet fjalë për deri në katër mijë njerëz.
Helikopterët ishin në gjendje gatishmërie për të larguar njerëz nga zonat e largëta. Autoritetet thanë se vërshimet mund të zgjasin deri të premten dhe ka gjasa që rrugë të rëndësishme të mbyllen për disa ditë.
“Niveli i ujit do të rritet. Ky është një paralajmërim serioz për disa ditë të ardhshme”- tha të mërkurën vonë kryeministri Jonas Gahr për vërshimet në vend.