“Të pakënaqshme” shenjat e para nga Rusia për propozimin e ShBA-së për armëpushim, thotë Tusku - NACIONALE

“Të pakënaqshme” shenjat e para nga Rusia për propozimin e ShBA-së për armëpushim, thotë Tusku

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se shenjat e hershme nga Rusia në lidhje me përgjigjen e saj ndaj propozimit të ShBA-së për armëpushim 30-ditor me Ukrainën janë “siç pritet…, thënë butë, të pakënaqshme, për të mos thënë të fshehta e misterioze”.

“Në fakt, askush nuk e di vërtet nëse Rusia do ta pranojë propozimin e hershëm… apo nëse do të vazhdojë të dalë me kushte të cilat nuk janë të pranueshme për partnerët e tjerë” – shtoi ai, raporton gazeta “The Guardian”.

Kryeministri polak foli me gazetarë pas kthimit nga Ankaraja, ku zhvilloi bisedime me presidentin turk, Rexhep Erdogan, me të cilin diskutoi për përfshirjen e Turqisë në ndonjë garanci sigurie për Ukrainën në të ardhmen.

“Është mirë që pas bisedimeve në Arabinë Saudite, nuk ka dyshim jo vetëm për atë se kush është agresori e kujt po i bëhet agresion, por gjithashtu për atë se kush dëshiron vërtet një armëpushim e paqe, e kush dëshiron që ta vazhdojë këtë luftë” – tha më tej Tusku.

Megjithatë, ai tha se mbetet me shpresë që përpjekjet diplomatike amerikane, ukrainase e evropiane do të çojnë në përfundimin e luftës.

Tusku e komentoi publikisht edhe thirrjen e presidentit polak, Andrzej Duda, që Shtetet e Bashkuara të transferojnë armë bërthamore në territorin e Polonisë si masë frenuese.

“Kufijtë e NATO-s lëvizën drejt lindjes më 1999, prandaj 26 vjet më vonë, duhet të ketë edhe një zhvendosje të infrastrukturës së NATO-s në lindje. Për mua kjo është e qartë” – tha Duda në një intervistë me gazetën “Financial Times”.

Kur u pyet nëse propozimi i presidentit Duda ishte konsultuar me Qeverinë, Tusku refuzoi që të komentonte më tej./Nacionale

Lajme të ngjashme