Të lënduar, të uritur e të vetmuar – fëmijët e Gazës, të mbetur jetimë nga lufta - NACIONALE

Të lënduar, të uritur e të vetmuar – fëmijët e Gazës, të mbetur jetimë nga lufta

2 vjet më parë

nga NACIONALE

E lindur mes tmerreve të luftës në Gaza, foshnja vajzë me vetëm disa muaj jetë, e shtrirë në një inkubator, nuk e ka njohur kurrë përqafimin e prindit.

BBC

Paralajmërim: Teksti i mëposhtëm përmban përshkrime eksplicite të kufomave dhe mund të shkaktojë shqetësim.

Ajo u lind përmes prerjes cezariane, pasi nëna e saj, Hanna, u shtyp nga një sulm ajror izraelit. Hanna nuk jetoi që t’ia linte emrin vajzës së vet.

“Ne vetëm e thërrasim vajza e Hanna Abu Amsha-s” – thotë infermierja Warda al-Awawda, e cila po kujdeset për të porsalindurën e vogël në spitalin “Al-Aqsa” në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës.

Në kaosin e shkaktuar nga luftimet e vazhdueshme dhe kur familje të tëra janë zhdukur pothuajse tërësisht, mjekët dhe punëtorët e shpëtimit shpesh kanë vështirësi për të gjetur kujdestarë për fëmijët e mbetur në mëshirë të tyre.

“Ne e kemi humbur kontaktin me familjen e saj. Asnjëri nga të afërmit nuk është paraqitur dhe nuk dimë se çfarë ka ndodhur me babanë e saj” – thotë infermierja.

Fëmijët, që e përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së Gazës prej 2,3 milionë njerëzish, kanë pësuar shpartallim të jetës nga lufta brutale.

Edhe pse Izraeli thotë se mundohet që t’i shmangë viktimat civile, përfshirë lëshimin e urdhrave për evakuim, më shumë se 11.500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare janë vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. Edhe më shumë kanë pësuar lëndime, shumë prej tyre që ua kanë ndryshuar jetën.

Është vështirë që të sigurohen shifra të sakta, por sipas një raporti të publikuar rishtazi nga Vëzhguesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut, organizatë joqeveritare, mbi 24 mijë fëmijë kanë mbetur pa njërin ose të dy prindërit.

Ibrahim Abu Mouss, vetëm 10 vjeç, pësoi lëndime të rënda në këmbë e bark, kur një raketë e goditi shtëpinë e tij. Megjithatë, lotët e tij rrjedhin për nënën, gjyshen e motrën e vdekur.

“Ata vazhdimisht më thoshin se ato po trajtoheshin në katin e sipërm të spitalit, por unë e zbulova të vërtetën, kur i pashë fotografitë në telefonin e babait. Qava aq shumë, saqë ndjeva dhimbje kudo” – tha Ibrahimi.

Kushërinjtë e familjes Hussein dikur luanin së bashku, por tani qëndrojnë ulur pranë varreve me rërë, ku disa prej të afërmve të tyre janë varrosur, pranë një shkolle të shndërruar në strehimore në pjesën qendrore të Gazës. Secili prej tyre ka mbetur pa njërin ose të dy prindërit.

“Raketa ra në prehrin e nënës sime dhe trupi i saj u bë copë-copë. Me ditë po nxirrnim pjesë të trupit të saj nga rrënojat e shtëpisë” – thotë Abed Hussein, i cili jetonte në kampin e refugjatëve “El-Bureij”.

“Kur thanë se nëna ime, daja im dhe e tërë familja ime u vranë, m’u duk sikur zemra po më rridhte gjak me zjarr” – shtoi ai.

Me rrathë të zinj nën sy, Abedi qëndron zgjuar natën, i frikësuar nga zhurma e bombardimeve izraelite e duke u ndier i vetmuar.

“Kur nëna dhe babai im ishin gjallë, flija, por pasi ata u vranë, nuk mund të fle më. Flija pranë babait” – shpjegon ai.

Për Abedin dhe dy vëllezërit/motrat e tij që kanë mbijetuar po përkujdeset gjyshja e tyre, por jeta e përditshme është e vështirë.

“Nuk ka ushqim ose ujë. Kam dhimbje barku nga pirja e ujit të detit” – thotë ai.

Babai i vajzës së quajtur Kinza Hussein u vra përderisa po mundohen që të gjente miell për të bërë bukë. Vogëlushen e ndjek në vegime pamja e kufomës së tij, që ishte sjellë në shtëpi për t’u varrosur pas goditjes nga një raketë.

“Ai nuk kishte sy dhe gjuha i ishte prerë” – sjell ndër mend Kinza. “E tëra që duam është që lufta të përfundojë. Gjithçka është pikëlluese” – shton ajo.

Gati të gjithë në Gaza tani mbështeten te shpërndarja e ndihmave për nevojat themelore për jetesë. Sipas shifrave të OKB-së, rreth 1,7 milion njerëz janë zhvendosur. Shumë prej tyre janë detyruar që të lëvizin disa herë në kërkim të sigurisë.

Megjithatë, agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, thotë se shqetësimi më i madh i saj është për rreth 19 mijë fëmijë, të cilët kanë mbetur jetimë ose të vetmuar, pa ndonjë të rritur që të kujdeset për ta.

“Shumë prej këtyre fëmijëve janë gjetur nën rrënoja ose i kanë humbur prindërit nga bombardimet e shtëpive të tyre” – thotë Jonathan Crick, shef i komunikimeve në degën e UNICEF-it për Palestinën. Të tjerë janë gjetur në pika izraelite të kontrollit, në spitale e rrugëve.

“Më të vegjlit shpesh nuk mund ta thonë as emrin e tyre dhe madje edhe më të rriturit janë zakonisht në shok, prandaj mund të jetë tepër vështirë për t’i identifikuar ata dhe potencialisht për t’i rigrupuar me familjen e gjerë të tyre” – shtoi ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme