“Tanket e para Leopard do të arrijnë shumë shpejt në Kiev” - NACIONALE

“Tanket e para Leopard do të arrijnë shumë shpejt në Kiev”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se Gjermania së shpejti do të dërgojë tanket e saj të para Leopard në Ukrainë.

Duke folur në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, pak ditë para përvjetorit të parë të pushtimit rus, Scholz u tha aleatëve që të përgatiten për një luftë të gjatë.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se tani nuk ishte koha për dialog me Rusinë mbi pushtimin e saj në Ukrainë.

Ai shtoi se javët e ardhshme do të ishin vendimtare, duke shtuar se aleatët duhet të "intensifikojnë mbështetjen" për Ukrainën që të jetë në gjendje të nisë një kundërofensivë, kështu që më vonë vendi të mund të hyjë në negociata në një pozicion të fortë.

Konferenca në Mynih, është një mbledhje vjetore e liderëve, zyrtarëve dhe diplomatëve, ku po marrin pjesë 30 krerët evropianë të qeverive, zëvendëspresidentja e ShBA-së Kamala Harris, si dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken bashkë me një delegacion të madh të kongresit.

Në konferencë, Scholz tha se ishte "e mençur të përgatitemi për një luftë të gjatë" dhe t'i tregohet presidentit rus Vladimir Putin se Gjermania dhe aleatët e saj nuk do të heqin dorë nga Ukraina.

Në anën tjetër, zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë nevojë urgjente për armë më të rënda dhe se tanket e mjaftueshme mund të ndihmojnë forcat e Kievit të rimarrin territorin nga rusët.

Gjermania – e cila muajt e fundit u vu nën presion në rritje për hezitimin e saj të dukshëm për të dërguar armë në Ukrainë, në muajin janar ra dakord që të lejonte që tanket e rënda Leopard të prodhimit gjerman t’i dërgoheshin Ukrainës.

Vendi gjithashtu lejoi shtetet e tjera të dërgonin tanket e tyre Leopard 2 në Ukrainë, një gjë që më parë ishte e kufizuar nga rregulloret e eksportit.

Fillimisht në konferencë foli presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u kërkoi aleatëve të përshpejtonin furnizimin me armë, duke paralajmëruar se nuk kishte alternativë për fitoren ndaj Moskës.

Në këtë konferencë nuk ishte i ftuar asnjë zyrtar rus.

Lajme të ngjashme