Talibanët paralajmërojnë hakmarrje: 46 të vrarë nga bombardimet pakistaneze në Afganistan
Bombardimet nga ushtria pakistaneze në provincën lindore afgane, Paktika, të martën lanë të paktën 46 të vrarë, shumica fëmijë e gra, thanë talibanët afganë, duke u zotuar për hakmarrje ndaj vendit fqinj.
Bombardimet ndodhën në katër zona në Afganistan, tha të mërkurën zëdhënësi Hamdullah Firat, duke shtuar se gjashtë persona janë lënduar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qeveria pakistaneze dhe zyrtarë ushtarakë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
“Afganistani e cilëson këtë akt brutal si shkelje flagrante të të gjitha parimeve ndërkombëtare dhe akt të qartë agresioni… Emirati Islam [Afganistani] nuk do ta lërë pa përgjigje këtë akt frikacak” – tha Enayatullah Khowrazmi, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Pakistani dhe Afganistani kanë marrëdhënie të tensionuar. Pakistani thotë se disa prej sulmeve të militantëve që kanë ndodhur në territorin e tij janë nisur nga toka afgane, por talibanët e mohojnë këtë akuzë.
Raportet u ndërlikuan edhe më shumë në mars, kur talibanët e akuzuan Pakistanin për kryerjen e dy sulmeve ajrore në territorin e Afganistanit, duke lënë të vrarë pesë gra e fëmijë.
Atë kohë, Pakistani pranoi se kishte kryer “operacione anti-terroriste të mbështetura në inteligjencë” në Afganistan, por nuk e kishte saktësuar natyrën e operacioneve.