Talibanët lëshojnë urdhër për mbylljen e salloneve të bukurisë në Afganistan - NACIONALE

Talibanët lëshojnë urdhër për mbylljen e salloneve të bukurisë në Afganistan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e talibanëve në Afganistan i ka urdhëruar pronarët e salloneve të bukurisë që t’i mbyllin ato brenda një muaji, njoftoi një ministri e kësaj administrate.

“Afati për mbylljen e salloneve të bukurisë për gra është një muaj”- tha të martën Mohammad Sadiq Akif-i, zëdhënës i Ministrisë për Parandalimin e Veseve dhe Përhapjen e Virtyteve, duke iu referuar vendimit të kësaj ministrie.

Qeveritë e huaja dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar shtimin e kufizimeve për gratë që nga rikthimi i talibanëve në pushtet më 2021, pas mposhtjes së qeverisë së përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, kur forcat e huaja u tërhoqën, raporton agjencia “Reuters”.

Vitin e kaluar, autoritetet i mbyllën shumicën e shkollave të mesme për vajza, ua ndaluan grave universitetin dhe ua ndaluan punën shumë grave afgane në stafin e ndihmave. Shumë vende publike, përfshirë banjat, sallat e ushtrimeve dhe parqet, u janë ndaluar grave.

Sallonet e bukurisë u shtuan në Kabul dhe në qytete të tjera afgane pas largimit të talibanëve nga pushteti në fund të vitit 2001, disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Qeveritë perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare kanë sinjalizuar se kufizimet ndaj grave janë duke penguar çfarëdo përparimi të mundshëm për njohjen ndërkombëtare të administratës së talibanëve.

Administrata thotë se i respekton të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e ligjit islam dhe traditave afgane nga ana e saj.

Lajme të ngjashme