Tajlanda i jep burgim të përjetshëm djalit të aktorit Sancho, ia copëtoi trupin një kirurgu
Një gjykatë në Tajlandë të enjten i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm të birit të aktorit spanjoll, Rodolfo Sancho, për vrasjen e profilit të lartë dhe copëtimin e trupit të një kirurgu plastik kolumbian vitin e kaluar në ishullin e popullarizuar turistik, Phangan.
Një gjykatë në ishullin fqinj, Samui, e shpalli fajtor 30-vjeçarin Daniel Sancho Bronchalo për vrasjen me paramendim të 44-vjeçarit Edwin Arrieta Arteaga, trupi i të cilit ishte prerë dhe ishte fshehur nga i akuzuari, thuhet në deklaratën e gjykatës, raporton agjencia “Reuters”.
Daniel Sancho Bronchalo është i biri i aktorit Rodolfo Sancho, që ka luajtur në “El Ministerio del Tiempo” (“Ministria e Kohës”) dhe i aktores Silvia Bronchalo. Ai ishte deklaruar fajtor për fshehjen e kufomës, por kishte mohuar se kishte kryer vrasje me paramendim, tha gjykata.
Gjatë gjykimit, Sancho e ka mbrojtur qëndrimin se vrasja e kryer në gusht të vitit 2023 e kirurgut plastik ishte akt i vetëmbrojtjes, sipas raportimeve të mediave tajlandeze. Kur u kontaktua të enjten nga agjencia “Reuters”, avokati i tij refuzoi që të komentonte.
Sancho ka pretenduar se ishte përfshirë në përleshje, pasi kirurgu gjoja ishte përpjekur që ta sulmonte seksualisht. Sipas tij, Arrieta ishte rrëzuar gjatë përleshjes dhe e kishte goditur kokën në vaskë, duke mbetur pa vetëdije e më pas kishte vdekur.
Sancho ishte kuzhinier në pushime në Tajlandë në kohën e incidentit, raportojnë mediat lokale.
Ai ia copëtoi trupin viktimës dhe vendosi pjesë të tij në qese plastike që i shpërndau në pjesë të ndryshme të ishullit.
Gjykata fillimisht e kishte dënuar spanjollin me vdekje, por ia zbuti dënimin në burgim të përjetshëm për shkak të rrëfimit që ai e ka dhënë për ngjarjen. Ai është urdhëruar që familjes së viktimës t’i japë dëmshpërblim prej 4,42 milionë bahtësh (130 mijë e 230 dollarë)./Nacionale