Tajfuni "Koinu" drejt Tajvanit, anulohen fluturime, pezullohen puna e mësimi - NACIONALE

Tajfuni "Koinu" drejt Tajvanit, anulohen fluturime, pezullohen puna e mësimi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tajfuni "Koinu" u nis drejt pjesës jugore të Tajvanit të mërkurën, duke sjellë shi të dendur e erë si dhe duke shkaktuar anulim të më shumë se 100 fluturimeve e pezullim të punës e mësimit në shkolla.

Stuhia pritet të arrijë në sipërfaqen tokësore të Tajvanit në bregdetin juglindor, afër qytetit Taitung, të enjten në mëngjes si tajfun i kategorisë së tretë, por pastaj pritet të dobësohet përderisa kalon nëpër pjesën jugore të ishullit dhe hyn në Ngushticën e Tajvanit, sipas uebfaqes “Tropical Storm Risk”, raporton agjencia “Reuters”.

Reshjet më të dendura priten në pjesën malore e me popullsi të rrallë të distriktit Pingtung, në bregdetin jugor, si dhe në distriktet Taiung dhe Hualien në lindje, por tajfuni thuhet se do ta prekë edhe qytetin e rëndësishëm bregdetar, Kaohsiung.

“Jemi të brengosur që shiu dhe era do të jenë shumë të fuqishëm, kur tajfuni të arrijë në territor tokësor, prandaj ne në mënyrë të plotë do ta fuqizojmë parandalimin e tajfunit dhe shpresojmë që banorët të qëndrojnë syçelë e të jenë të kujdesshëm”- tha Chen Chia-chen nga Këshilli për Çështje Oqeanike, duke folur në Taitung.

Autoritetet në Kaohsiung dhe në qytetin fqinj, Tainan, thanë se do t’i pezullojnë punën dhe procesin mësimor nga ora 18 të mërkurën dhe tërë ditën të enjten.

Kompanitë ajrore të Tajvanit anuluan 87 fluturime brenda vendit, ndërsa masë e njëjtë u zbatua edhe për 25 fluturime ndërkombëtare, njoftoi Ministria e Transportit.

Pas kalimit nëpër Tajvan, tajfuni do të lëvizë drejt provincave jugore të Kinës, Guangdong dhe Fuijan e pastaj në Hong Kong, ku pritet të dobësohet edhe më shumë për t’u bërë stuhi tropikale.

Lajme të ngjashme