Sulmohet sinagoga hebraike në Berlin, policia e rrethon zonën
Raportohet se komuniteti hebraik në Berlin të Gjermanisë u sulmua të mërkurën në mbrëmje. Thuhet se të dyshuarit hodhën dy koktejë molotovi në qendrën e këtij komuniteti në distriktin Mitte të kryeqytetit gjerman.
Lajmi për sulmin me koktel molotovi e publikoi komuniteti hebraik “Kahal Adass Jisroel” në faqen e tij në rrjetin X, raporton gazeta “Bild”. Sipas informatave të së përditshmes, asnjë person nuk është lënduar.
Në ndërtesën që ndodhet në rrugën “Brunnenstrasse” janë disa institucione hebraike. Përpos sinagogës së shoqatës “Kahal Adass Yisroel”, aty ndodhet edhe shkolla “Talmud Torah”.
Policia e ka rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa gazeta gjermane, “Tagesspiegel” raportoi se koktejet e molotovit ishin funksionalë dhe ishin djegur. Sidoqoftë, ndërtesa nuk u përfshi nga zjarri, sepse sulmuesit nuk e qëlluan cakun. Sipas kësaj gazete, koktejet e molotovit ranë në trotuar.
Sipas raportimit, forcat policore ndodheshin në vendin e ngjarjes, por nuk kishin mundur ta parandalonin sulmin.
Të mërkurën në mëngjes, një burrë u arrestua për qëndrim përballë sinagogës dhe brohoritje të sloganeve anti-semite. Fillimisht nuk qe e qartë nëse ky rast ishte i ndërlidhur me sulmin me kokteje molotovi.
Komuniteti hebraik tha se pak para orës 9 të mëngjesit, një burrë me shall palestinez iu afrua hyrjes së qendrës së komunitetit me një skuter elektrik pavarësisht nga barrierat dhe e hodhi mjetin në tokë. Thuhet se ai ishte munduar që të nxirrte diçka nga xhepi. Ky person u arrestua nga policia.
Në Berlin kishte protesta më herët pas shpërthimit shkatërrues në një spital në Gaza, ku raportohet për qindra viktima. Pati edhe protesta të dhunshme. Policia gjermane u detyrua që ta mbronte memorialin e Holokaustit nga turma agresive.
