Sulmohet me dron rezervuari i derivateve në një bazë ajrore në Kursk të Rusisë - NACIONALE

Sulmohet me dron rezervuari i derivateve në një bazë ajrore në Kursk të Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm me dron ka shkaktuar zjarr në një rezervuar derivatesh të një bazë ajrore në Kursk, ka thënë guvernatori rajonal rus, një ditë pasi Ukraina u duk se kreu sulme me dron në dy baza ajrore ushtarake thellë brenda territorit rus.

Guvernatori i rajonit Kursk, që kufizohet me Ukrainën, Roman Starovoyt, tha në rrjete sociale se nuk ka viktima nga sulmi dhe se zjarri është lokalizuar, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në disa video të publikuara në rrjete sociale shihet një shpërthim i madh, që shkakton ndriçim në qiell, i pasuar nga një zjarr i konsiderueshëm në bazën ajrore që ndodhet rreth 280 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Herët në mëngjes, një tym i madh i zi shihej ende mbi vendin e shpërthimit.

Kievi dhe Moska nuk kanë dhënë komente të menjëhershme për këtë rast. Sa u përket sulmeve të së hënës, zyrtarët rusë i fajësuan dronët e modifikuar të tipit “Strizh”, të cilët fillimisht ishin prodhuar në vitet e shtatëdhjeta, në periudhën sovjetike.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se dronët ukrainas kanë sulmuar dy baza ajrore në Ryazan dhe Saratov në pjesën jugore të Rusisë, duke vrarë tre ushtarë rusë e duke plagosur katër të tjerë e duke dëmtuar dy aeroplanë.

Ukraina nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për ndonjërin nga sulmet. Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas, i cituar nga gazeta “The New York Times”, tha se dronët e përfshirë në sulmet e së hënës janë lëshuar nga territori ukrainas dhe se të paktën njëri nga sulmet është kryer me ndihmën e forcave speciale afër bazës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sulmet e së hënës ishin akte terrorizmi me të cilat synohej që aeroplanët me rreze të gjatë të bëheshin të papërdorshëm dhe se janë rrëzuar dronët e përdorur në sulme.

Analisti ushtarak ukrainas, Serhiy Zgurets, tha se bazat ajrore që u goditën të hënën, ishin qendrat e vetme në Rusi që mund t’ua bënin servisimin e plotë bombarduesve të përdorur për sulme në Ukrainë.

Sulmi më i ri me dron ndodhi pasi një zyrtar rus u duk se i refuzoi pretendimet e fundit që Moska mund të jetë duke iu afruar një marrëveshjeje me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore për t’u tërhequr nga centrali bërthamor në Zaporizhia.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Rafael Grossi, tha javën e kaluar se shpresonte që të arrinte një marrëveshje me Rusinë dhe Ukrainë për mbrojtjen e këtij centrali deri në fundin e këtij viti. Centrali tash për tash është i pushtuar dhe kontrollohet nga forcat ruse.

Lajme të ngjashme