Sulmi në Kopenhagë, 22-vjeçari që vrau tre persona ishte me probleme mendore
Një 22-vjeçar i dyshuar për vrasjen e tre personave në një qendër tregtare në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagë, është akuzuar për vrasje.
Gjatë sulmit të së dielës, humbën jetën dy shtetas danezë të moshës 17-vjeçare dhe një shtetas rus 47 vjeç, e ndërsa fillimisht sulmi u mendua si një “akt terrorist”, në të dhënat e fundit policia ka njoftuar se i dyshuari kishte probleme mendore dhe jo motive terroriste.
“Ai kishte një pushkë dhe një thikë dhe të shtënat e tij ishin të rastësishme - jo të motivuara nga gjinia apo ndonjë gjë tjetër," thanë ata.
Sipas mediave daneze, i dyshuari ka dalë para gjykatës i shoqëruar nga tre oficerë të armatosur rëndë, kurse autoritetet kanë vendosur që fillimisht ai të mbahet në një repart të mbyllur psikiatrik për 24 ditë.
Kujtojmë se, sulmi vdekjeprurës filloi në qendrën tregtare Field’s - një nga qendrat më të mëdha në Danimarkë.