Sulmi i ri në ShBA, tre të vrarë e tetë të plagosur
Autoritetet në Teksas të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se tre persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave që kanë shpërthyer pas një festivali lokal.
Të shtënat në Fort Worth ndodhën të hënën natën në lagjen Como, e cila shtrihet në pjesën jugperëndimore të qytetit, raporton agjencia “Associated Press”.
Faqja WFAA, duke e cituar policinë, raportoi se të shtënat ndodhën vetëm disa orë pas përfundimit të festivalit vjetor të lagjes, “ComoFest”.
Në raportim thuhet se asnjë person nuk ishte arrestuar nga policia në lidhje me këtë rast deri të martën në mëngjes.
Ishte po ashtu e paqartë se sa persona kishin hapur zjarr.
Më herët, televizioni BBC raportoi për katër të vrarë në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara. Më vonë, numri i viktimave raportohet të ketë shkuar në pesë.
Dhuna me armë ka qenë njëra ndër sfidat kryesore për presidentin Joe Biden, i cili ka bërë thirrje që ligjet për armëmbajtje të ashpërsohen. Sidoqoftë, kjo masë është penguar nga republikanët në opozitë dhe disa gjykata.
