Katër të vrarë nga të shtënat në Filadelfia të ShBA-së
Katër persona u qëlluan për vdekje në qytetin Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të hënën vonë, tha policia amerikane.
Forcat e sigurisë thanë se dy persona të tjerë – fëmijë 2 dhe 13 vjeç – janë plagosur nga sulmi në zonën jugperëndimore të qytetit, Kingsessing. Të gjitha viktimat janë të gjinisë mashkullore, raporton televizioni BBC.
Sulmuesi i dyshuar është në ndalim policor, ndërsa pushka dhe pistoleta e tij janë konfiskuar. Policia tha se i dyshuari kishte veshur jelek balistik me shumë karikatorë.
Në një konferencë për gazetarë, komisionarja e policisë në Filadelfia, Danielle Outlaw, tha se policët u njoftuan për rastin rreth orës 20 e 30 minuta të hënën në zonën e rrugëve 56 dhe “Chester Avenue”.
“Kur policët reaguan, ata identifikuan dhe gjetën disa viktima me plagë të armëve të zjarrit. Përderisa po i merrnin viktimat dhe po i përgatisnin për transportim në spital, ata gjithashtu dëgjuan shumë të shtëna”- shtoi ajo.
Komisionarja tha se policët pastaj e ndoqën të dyshuarin në këmbë, përderisa burri, që besohej se është në të dyzetat, po vazhdonte që të qëllonte me armë. Ai u kap më vonë.
Katër të vrarët ishin të moshave 20 deri në 59-vjeçare. Dy fëmijët e lënduar janë në gjendje stabile.
Zyrtarja policore tha se ka mundur të kishte më shumë viktima, nëse nuk do të ishte reagimi i policisë. Motivi i sulmuesit nuk qe menjëherë i ditur.