Sulmet ajrore izraelitë lënë 16 të vrarë në Gaza, thonë palestinezët - NACIONALE

Sulmet ajrore izraelitë lënë 16 të vrarë në Gaza, thonë palestinezët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët palestinezë kanë thënë se 16 njerëz, përfshirë pesë gra e katër fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Një sulm të hënën herët bëri rrafsh një shtëpi në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në pjesën qendrore të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën dhjetë persona, përfshirë katër gra e dy fëmijë, raporton agjencia “Associated Press”.

Spitali “Awda”, ku u pranuan trupat, e konfirmoi shifrën e viktimave dhe tha se 13 persona të tjerë ishin plagosur. Të dhënat e spitalit tregojnë se në mesin e të vdekurve ishin një nënë, fëmija i saj dhe pesë vëllezër e motra të saj.

Një sulm tjetër ndaj një shtëpie në Qytetin Gaza la të vrarë gjashtë persona, përfshirë një grua dhe dy fëmijë, sipas Mbrojtjes Civile, ekipe të reagimit të parë që veprojnë në kuadër të autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi.

Izraeli thotë se vë në shënjestër vetëm militantë dhe i akuzon Hamasin e grupet e tjera të armatosura se i rrezikojnë civilët duke vepruar në zona të banimit. Ushtria izraelite rrallë i komenton sulmet veç e veç, me të cilat shpesh vriten gra e fëmijë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se mbi 41 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Kjo ministri në shifra nuk e bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve, por thotë se më shumë se gjysma e të vrarëve kanë qenë gra dhe fëmijë.

Në anën tjetër, Izraeli thotë se ka vrarë mbi 17 mijë militantë, pa paraqitur dëshmi për këtë pretendim.

Lajme të ngjashme