Sulm në një qendër tregtare në Bregun Perëndimor, vritet një izraelit dhe dy sulmues
Një burrë izraelit, i cili raportohet se u sulmua nga dy palestinezë në një kompleks tregtar në Gush Etzion të Bregut Perëndimor, nuk u ka mbijetuar plagëve, tha shërbimi ambulantor “Magen David Adom”.
Sipas ekipeve emergjente, dy sulmuesit u qëlluan për vdekje, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Rrethanat e sulmit janë duke u hetuar.
Sipas të gjeturave fillestare, dy sulmuesit e sulmuan me thika burrin izraelit, i cili punonte si rojë në kompleksin tregtar.
Disa izraelitë të tjerë, të cilët ishin të armatosur, hapën zjarr në drejtim të dy palestinezëve, duke i vrarë ata.
Autoritetet janë duke hetuar për të marrë vesh nëse edhe roja izraelite është goditur nga plumbat e atyre që reaguan ndaj sulmit.