Sulm në Beersheba të Izraelit, vritet një police
Një police është vrarë dhe dhjetë persona të tjerë janë lënduar gjatë një sulmi me të shtëna në qytetin jugor izraelit, Beersheba, kanë thënë autoritetet lokale.
Sulmuesi u qëllua për vdekje në vendin e ngjarjes pas atij që policia e përshkroi si “sulm terrori i dyshimtë” në stacionin qendror të autobusëve në qytet, raporton televizioni BBC.
Policja e vrarë u identifikua si Shira Chaya Suslik, 19 vjeçe, rreshtere në policinë kufitare të Izraelit.
Shërbimi ambulantor izraelit tha se mjekët ishin duke trajtuar dhjetë persona për lëndime, disa prej të cilëve kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Njëri nga të lënduarit ishte në gjendje “mesatare deri në serioze”, ndërsa katër të tjerë në “gjendje mesatare”, tha shërbimi ambulantor.
Policia tha se një hetim preliminar tregoi që sulmuesi ishte “eliminuar brenda pak sekondave nga forcat e sigurisë” që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Pak pas sulmit, ministrja e Transportit e Izraelit, Miri Regev, bëri thirrje që familjet e “terroristëve” të dëboheshin nga vendi.
“Ka ardhur koha për një ndëshkim parandalues që të parandalohen sulmet ndaj territorit izraelit” – shkroi ajo në rrjetin X.
Udhëheqësi opozitar izraelit, Yair Lapid, e përshkroi sulmin si “të rëndë dhe të neveritshëm”, duke thënë në rrjetin X se “ne duhet të reagojmë fort kundër terrorizmit”.
Javën e kaluar, shtatë njerëz u vranë gjatë një sulmi me pushkë e me thikë në Tel-Aviv, pasi një i armatosur hapi zjarr në drejtim të njerëzve në zonën Jaffa.
Autoritetet izraelite kanë thënë se janë në gjendje të vigjilencës së lartë në mbarë vendin para njëvjetorit të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, që e kishte nxitur luftën që ende po vazhdon në Gaza./Nacionale