Sulm me flakëhedhëse ndaj grupit në ShBA që ishte mbledhur për pengje izraelite, tetë të lënduar
Tetë persona u lënduan në Kolorado të Shteteve të Bashkuara, pasi një burrë sulmoi një grup njerëzish me ato që policia i përshkroi si “flakëhedhëse të improvizuar” dhe “koktej molotovi” të dielën pas mesditës sipas kohës lokale.
Njerëzit që u sulmuan po merrnin pjesë në marshin “Vrapo për Jetët e Tyre”, organizim për ngritjen e vetëdijes për pengjet izraelite që janë duke u mbajtur ende në Gaza, raporton televizioni BBC.
FBI-ja tha se bëhej fjalë për një “organizim paqësor e të planifikuar rregullisht, për çdo javë”.
Një shtetas 45-vjeçar egjiptian, Mohamed Sabry Soliman, është arrestuar për këtë rast. Autoritetet thanë se ai bërtiti “liri për Palestinën” gjatë sulmit.
Policia amerikane tha se beson që i dyshuari kishte vepruar vetëm.
Katër burra e katër gra, të moshave nga 52 deri në 88-vjeçare, u dërguan në disa spitale të Denverit për shkak të lëndimeve. Të paktën një person është në gjendje kritike.
Të lënduarit janë duke u trajtuar për djegie dhe lëndime të tjera.
Prokurorët thonë se janë “plotësisht të bashkuar 100 për qind” për t’u siguruar që sulmuesi të mbahet “plotësisht përgjegjës”.
Policia lokale tha se do t’i shtojë masat e sigurisë në organizimet hebraike ditëve të ardhshme./Nacionale