Sulm masiv ukrainas me dronë në Rusi: Një grua vritet, disa aeroporte mbyllen - NACIONALE

Sulm masiv ukrainas me dronë në Rusi: Një grua vritet, disa aeroporte mbyllen

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ukraina të martën i goditi Moskën dh pjesën perëndimore të Rusisë në njërin prej sulmeve më të mëdha me dronë, duke lënë të vdekur të paktën një person, duke dëmtuar dhjetëra shtëpi e duke i detyruar autoritetet që të mbyllnin aeroporte të rëndësishme në Moskë, thanë zyrtarët rusë.

Ukraina lëshoi shumë dronë mbi fuqinë më të madhe bërthamore në botë. Rusia tha se shkatërroi të paktën 20 dronë mbi rajonin e Moskës, ku banojnë mbi 21 milionë njerëz, ndërsa 124 të tjerë në tetë rajone të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Tri nga katër aeroportet e Moskës u mbyllën për trafik ajror pas sulmeve, tha autoriteti rus i aviacionit, Rosaviatsia. Një rrugë e rëndësishme që çon në kryeqytet u mbyll pjesërisht.

Sulmet me dronë dëmtuan të paktën dy ndërtesa të larta me banesa në distriktin Ramenskoye të rajonit të Moskës, duke shkaktuar zjarre në banesa, tha guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov.

Një grua 46-vjeçare vdiq dhe tre persona u lënduan në Ramenskoye, tha më tej ai, duke shtuar se 43 njerëz u evakuuan përkohësisht në qendra të akomodimit.

Në video të publikuara në rrjete sociale u shfaq zjarri që dilte nga dritaret e një ndërtese shumëkatëshe të banimit. Aty thuhej se dhjetëra banesa ishin dëmtuar në distriktin Ramenskoye.

“Shikova në dritare dhe pashë një top zjarri. Dritarja u thye nga vala e shokut” – tha Alexander Li, banor i këtij distrikti.

Distrikti Ramenskoye shtrihet rreth 50 kilometra në juglindje të Kremlinit dhe ka rreth 250 mijë banorë, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 70 dronë gjithashtu u rrëzuan mbi rajonin Bryansk dhe dhjetëra të tjerë në rajone të tjera, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Atje nuk u raportua për pasoja në njerëz ose dëme.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina për sulmet e së martës. Të dyja palët e konfliktit mohojnë se vënë në shënjestër civilë, por viktima civile ka pasur nga sulmet e të dyja anëve.

Industria e brendshme e dronëve në Ukrainë është rritur shpejt dhe Kievi i ka shtuar sulmet me dronë ndaj energjisë, ushtrisë, transportit dhe infrastrukturës ruse. Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës./Nacionale

Lajme të ngjashme