Sulm masiv me armë në ShBA, të paktën 18 të vrarë
Së paku 18 persona raportohet të jenë vrarë në qytetin Lewiston të shtetit Maine të Shteteve të Bashkuara gjatë një sulmi masiv me armë, sipas zyrtarit të Këshillit të Qytetit, Robert McCarthy.
McCarthy tha se e kishte marrë këtë informacion nga një administrator i qytetit përmes një porosie në telefon, raporton, televizioni CNN.
“I mbyllëm të gjitha dyert me çelës. I rrokëm armët. Vetëm po presim se ata (policët) do ta kapin individin ose individët që e bënë këtë”- tha ai.
Departamenti i Policisë në Lewiston e ka identifikuar burrin e quajtur Robert Card si person me interes në dy rastet e të shtënave.
Ky person është 40 vjeç dhe duhet të konsiderohet i armatosur e i rrezikshëm, sipas një shkrimi të policisë amerikane në rrjetin “Facebook”.
“Sundimi i Ligjit është duke u përpjekur që ta lokalizojë Robert Card-in (ditëlindja) 4.4.1983, si person me interes në lidhje me të shtënat masive në “Schemengees Bar” dhe “Sparetime Recreation” këtë mbrëmje. CARD duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Ju lutemi kontaktojeni sundimin e ligjit, nëse jeni të vetëdijshëm për vendndodhjen e tij”- thuhet në deklaratën e policisë lokale.
Përderisa policia po vazhdon ta kërkojë personin e dyshimtë, shkollat lokale njoftuan se e kanë anuluar mësimin për të enjten.
“Mbeten shumë të panjohura tash për tash. Të dhënat lëvizin shpejt, por jo gjithmonë në mënyrë të saktë. Ju lutemi vazhdoni të qëndroni të strehuar në vend ose të shkoni në vende të sigurta. Do të vazhdojmë që t’ju mbajmë të informuar me të dhëna dhe për hapat e ardhshëm në mënyrë të duhur”- thuhet në një shkrim të Shkollave Publike të Lewiston-it.
Një dëshmitare tha se pa “përfundimisht mbi 12 persona” duke dalë nga një qendër e boulingut, ku ndodhi njëri nga dy sulmet në Lewiston të shtetit Maine.
Nichoel Arel tha se në vendin e ngjarjes kishte prani të madhe të policisë e autoambulancave pas incidentit vdekjeprurës.
Ajo pa një person që dukej plot gjak, por nuk ishte e sigurt nëse ai person ishte i lënduar. Dëshmitarja tha se në vendin e ngjarjes kishte parë edhe fëmijë me familjet e tyre.
Vajza e saj ishte me të, kur e pa skenën. “Ajo përfundimisht ishte e frikësuar, filloi të qante dhe më tha: Kjo është një botë e frikshme në të cilën jetojmë, nënë”- shtoi dëshmitarja.
