Suedia edhe më afër NATO-s, Turqia jep edhe një dritë të gjelbër - NACIONALE

Suedia edhe më afër NATO-s, Turqia jep edhe një dritë të gjelbër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni për Punë të Jashtme i parlamentit turk e ka dhënë dritën e gjelbër për anëtarësimin e Suedisë në NATO – duke larguar një pengesë në procesin e nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës.

Aplikimi i Suedisë për hyrje në aleancën e fuqishme ushtarake ka ngecur me muaj për shkak të kundërshtimit fillestar të Turqisë e Hungarisë, ndërsa rishtazi ishte ndërlikuar edhe më shumë, pasi presidenti turk, Rexhep Erdogan, e lidhi këtë çështje me sigurimin e aeroplanëve luftarakë F-16 për vendin e tij nga ShBA-ja, raporton gazeta “The Guardian”.

Turqia dhe Hungaria mbeten anëtaret e vetme të NATO-s që nuk e kanë ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, 19 muaj pasi ky shtet aplikoi për këtë qëllim. Sidoqoftë, Ankaraja e Budapesti e miratuan hyrjen e Finlandës në NATO në prill të këtij viti.

“Protokolli [për pranimin e Suedisë në NATO] kaloi në komision”,- i tha agjencisë AFP deputeti i partisë CHP në opozitë, Utku Cakirozer, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Miratimi nga komisioni e hap rrugën për votimin e plotë nga të gjithë deputetët, ku koalicioni i Erdoganit e ka shumicën e ulëseve. Nuk qe menjëherë e qartë se kur do të votohet hyrja e Suedisë në NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e çmoi votimin pozitiv të këtij komisioni dhe tha se ai llogarit te Turqia e Hungaria për plotësimin e ratifikimeve të tyre “sa më shpejt që është e mundshme”. “Anëtarësia e Suedisë do ta bëjë NATO-n më të fortë”- shtoi ai.

Në korrik, Erdogani i kishte tërhequr ankesat e tij, pasi Suedia dhe Finlanda ishin pajtuar në një “memorandum trepalësh” për t’i adresuar shqetësimet e qeverisë turke rreth aktiviteteve të kurdëve në territoret e dy shteteve të Evropës Veriore.

Lajme të ngjashme