Suedi: Vriten tre shimpanze pas arratisjes nga një kopsht zoologjik - NACIONALE

Suedi: Vriten tre shimpanze pas arratisjes nga një kopsht zoologjik

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas mediave suedeze, tre shimpanze janë arratisur nga rrethimi i tyre në një kopsht zoologjik për disa orë, para se të qëlloheshin për vdekje. Ndërsa, është bërë e ditur se një e katërt është plagosur dhe një është kthyer e padëmtuar në kopësht.

"Ato janë kafshë shumë të forta dhe absolutisht jo të zbutura," është shprehur Daniel Wikdahl, një zëdhënës i policisë, për transmetuesin publik SVT të mërkurën, duke shtuar se ishte vendimi i kopshtit zoologjik që të qëllonte të katër shimpanzetë për shkak të rrezikut që paraqesin për publikun.

Annika Troselius, një zëdhënëse e kopshtit zoologjik Furuviksparken, në veri të Stokholmit, ka njoftuar se kafshët duhej të vriteshin pasi nuk kishte qetësues të mjaftueshëm për nënshtrimin e të gjithave.

“Ne kishim veterinerë në skenë, por ata bënë vlerësimin se nuk kishim mjaftueshëm anestezi. Kjo është arsyeja pse ne thirrëm gjuajtësit”, ka thënë Troselius duke shtuar se situata ishte tragjike dhe marrin përgjegjësinë e plotë.

Kopshti zoologjik u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, të mbyllin dyert dhe të mbyllin dritaret.

"Shimpanzetë janë kafshë të forta dhe kanë një klasifikim me rrezik të lartë," ka thënë Troselius. “Stafi ynë nuk lejohet të punojë në kontakt të ngushtë me ta,” ka shtuar ajo.

Furuviksparken, i cili aktualisht është i mbyllur për sezonin, ka shtatë shimpanze dhe thuhet se është stacioni i vetëm i kërkimit të primatëve në rajonin nordik. Ajo tha në një deklaratë se nuk e dinte se si kafshët kishin ikur, por se do të hetonte.

"Ne po e marrim këtë vërtet shumë seriozisht. Siguria është shumë e rëndësishme për ne dhe fokusi ynë i parë është të sigurohemi që askush të mos lëndohet. Pastaj sigurisht që ne do ta hetojmë këtë në mënyrë që të mos ndodhë më kurrë,” ka thënë Troselius.

Lajme të ngjashme