Sudani i Jugut mohon se është në bisedime me Izraelin për ta pranuar popullsinë e Gazës - NACIONALE

Sudani i Jugut mohon se është në bisedime me Izraelin për ta pranuar popullsinë e Gazës

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sudani i Jugut ka mohuar se është në bisedime me Izraelin që banorëve të Gazës t’u lejohet vendosja në shtetin afrikan.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Sudanit të Jugut “në mënyrë të vendosur i hedh poshtë raportimet e mediave rishtazi ku pretendohet se Qeveria e Republikës së Sudanit të Jugut është e përfshirë në diskutim me Shtetin e Izraelit në lidhje me rivendosjen e shtetasve palestinezë nga Gaza në Sudanin e Jugut”, thuhet në një deklaratë.

“Këto pretendime janë të pabaza dhe nuk i pasqyrojnë pozicionin ose politikën zyrtare të Qeverisë së Republikës së Sudanit të Jugut”, thuhet më tej në deklaratë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Prandaj, Ministria u bën thirrje të gjitha mediave që ta ushtrojnë kujdesin e duhur dhe t’i verifikojnë informatat përmes kanaleve zyrtare para publikimit” – thuhet në fund të deklaratës.

Lajmi për këto bisedime ishte raportuar nga agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, e cila kishte thënë se negociatat ia kanë konfirmuar gjashtë persona të afërt me çështjen.

Ideja e largimit të popullsisë së Gazës nga enklava është përmendur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe është përkrahur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Sidoqoftë, palestinezët, grupet për të drejtat e njeriut dhe një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar kanë dalë kundër këtij plani, duke e cilësuar si dëbim me forcë që do të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme