Stuhi e rrallë verore me erë të fuqishme në Holandë, një i vdekur e disa të lënduar - NACIONALE

Stuhi e rrallë verore me erë të fuqishme në Holandë, një i vdekur e disa të lënduar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku një person vdiq nga një stuhi e rrallë verore me erë me shpejtësi deri në 145 kilometra në orë në Holandë. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda, ndërsa në komunikacion pati pengesa të konsiderueshme.

Një grua 51-vjeçare vdiq në Haarlem, pasi një dru ra mbi veturën në të cilën ndodhej ajo, tha policia lokale.

Në Amsterdam, disa persona u lënduan, pasi disa drurë u rrëzuan nga stuhia, duke dëmtuar vetura e barka përgjatë kanaleve të qytetit, raporton agjencia “Reuters”.

Instituti Kombëtar i Meteorologjisë ua dërgoi nivelin më të lartë të paralajmërimit për stuhi banorëve të provincës Noord-Holland, ku përfshihet Amsterdami, duke u bërë thirrje që të mos dilnin nga shtëpitë dhe që t’i telefononin numrat e shërbimeve emergjente vetëm në raste të rrezikut për jetë.

Stuhitë e fuqishme në Holandë zakonisht ndodhin mes tetorit e prillit. Stuhia e fundit verore ndodhi më 2015 dhe ishte e para në më shumë se një shekull.

Stuhia verore po shkakton shumë dëme, sepse drurët janë të rëndë me gjethe dhe shumë prej tyre janë bërë të brishtë gjatë periudhës së pazakonshme të thatësisë në maj dhe qershor.

Në aeroportin “Schiphol” të Amsterdamit janë anuluar mbi 400 fluturime, njoftoi një zëdhënës. Pritet që pengesa të ketë të paktën deri në orën 16.

Lajme të ngjashme