Stuhi e madhe bore në ShBA, një skitar vdes nga orteku
Një stuhi e madhe dimërore me borë, breshër, erë e temperatura të ulëta në Shtetet e Bashkuara solli kushte të rrezikshme për udhëtime në shtetet qendrore e jugore e deri në bregdetin lindor të hënën, duke shkaktuar mbyllje të shkollave e zyrave qeveritare në disa shtete amerikane.
Bora e akulli mbuluan rrugë të rëndësishme në Kansas, në perëndim të Nebraskës dhe në disa pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare shtetërore u aktuvizua për t’i ndihmuar vozitësit që kanë ngecur rrugëve. Parashihen reshje bore prej të paktën 20 centimetrash e erë me shpejtësi deri në 72 kilometra në orë, raporton gazeta “The Guardian”.
Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për stuhi dimërore që prekin 60 milionë njerëz, nga Kansasi e Missouri deri në New Jersey.
“Për lokacionet në këtë rajon që e pranojnë totalin më të lartë të borës, mund të jenë reshjet më të mëdha të borës në të paktën një dekadë” – tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Gjatë fundjavës, të paktën 600 udhëtarë me vetura mbetën të ngujuar në Missouri, thanë autoritetet. Qindra aksidente me vetura u raportuan në Virgjinia, Indiana, Kansas e Kentucky.
Guvernatori i shtetit Kentucky, Andy Beshear, i cili ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme shtetërore, tha se ndërtesat qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura të hënën.
Një skitar vdiq nga orteku në një mal në Wyoming, sipas shërbimeve emergjente lokale.
Shërbimi emergjent tha se orteku u nxit nga një grup prej katër skitarëve që po ngjiteshin një shtegu.
“Orteku zyri pjesërisht një skitar, ndërsa mbuloi tërësisht një tjetër. Skitari i zënë pjesërisht pësoi lëndim në pjesën e poshtme të këmbës” – thuhet në njoftim.