Studiohet mumja e stërgjyshes së gjashtë të Boris Johnson, zbulohet arsyeja e vdekjes - NACIONALE

Studiohet mumja e stërgjyshes së gjashtë të Boris Johnson, zbulohet arsyeja e vdekjes

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shkencëtarët janë tronditur nga një zbulim që kanë bërë së fundmi për paraardhësen e mumifikuar të ish-presidentit britanik Boris Johnson, e cila ka vdekur në shekullin e 18-të.

E njohur si “mamaja më e famshme e Zvicrës,” kufoma e Anna Catharina Bischoff, kishte bërë tituj mediash në vitin 2018, kur ishte zbuluar se ishte stërgjyshja e gjashtë e Johnson.

Mbetjet e saj, të gjetura në vitin 1975, përmbanin nivele të larta të merkurit - historikisht, një trajtim për sifilizin - kështu që fillimisht ishte supozuar se vdekja e saj kishte ardhur nga kjo sëmundje. Megjithatë me një analizë që i ishte bërë së fundmi, është zbuluar se nuk ishte sifilizi shkak i vdekjes së saj, por një nivel i lartë i bakterieve të panjohura deri më tani për shkencën.

Sipas DailyMail, mikrobiologu që është marrë me studimin, ka thënë se kanë gjetur një bakter të ri, që në krahasim me bakteret e sotme, kishte diçka intriguese.

“Bakteri përmbante grupe të ngjashme gjenesh me ato që gjenden në bakteret moderne që shkaktojnë lezione të kockave dhe simptoma pulmonare,”- ka thënë mikrobiologu, duke shtuar se lezionet në kocka te Bischoff, janë një simptomë e njohur e sifilizit, prandaj ajo është diagnostikuar me sëmundjen gabimisht, por nuk ka qenë kjo sëmundje arsyeja e vërtetë e vdekjes së saj.

Bischoff ka lindur në një familje të pasur në Strasburg të Francës, në vitin 1719. Ishte e martuar dhe kishte shtatë fëmijë, ndërsa vajza më e madhe e saj, njihet si gjyshja e pestë e Boris Johnson.

Pas vdekjes së saj ajo ishte varrosuar në Kishën Barfusser, dhe mërkuri që ishte përdorur për trajtim të sëmundjes që mund të pasur gjatë jetës, kufomën e saj e kishte kthyer në një mumje.

Lajme të ngjashme