Stoltenbergu: S’duhet ta nënvlerësojmë Rusinë, ka grumbulluar shumë raketa para dimrit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca nuk duhet t’i nënvlerësojë Rusinë dhe aftësinë e saj për ta vazhduar luftën në Ukrainë.
Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel, zyrtari i lartë tha se lufta e ka zvogëluar ndikimin e Rusisë në vendet përreth saj, e ka bërë më të varur nga Kina dhe i ka kushtuar me një pjesë të konsiderueshme të forcave, raporton gazeta “The Guardian”.
“E tërë kjo e nënvizon gabimin strategjik të Putinit me pushtimin e Ukrainës”- tha Stoltenbergu. Megjithatë, ai shtoi: “Në të njëjtën kohë, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë.”
“Ekonomia e Rusisë është në gjendje lufte. Putini ka tolerancë të lartë për viktima dhe qëllimet ruse në Ukrainë nuk kanë ndryshuar”- shtoi sekretari i NATO-s.
Ai tha më tej se Rusia kishte grumbulluar rezerva të mëdha të raketave para dimrit dhe se ky shtet ishte duke bërë përpjekje të reja për ta sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Pas tij foli edhe sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i cili tha se vendi i tij po e ndan barrën e ndihmave për Ukrainën me aleatët e NATO-s.
“Shtetet e Bashkuara nuk po qëndrojnë vetëm. Ne kemi ofruar rreth 77 miliardë dollarë asistencë për Ukrainën. Aleatët tanë evropianë, gjatë periudhës së njëjtë, kanë ofruar mbi 110 miliardë dollarë”- tha kryediplomati amerikan.
Në përpjekje për t’iu kundërvënë zërave brenda ShBA-së se ky shtet po i jep Ukrainës më shumë se pjesa që i takon, Blinkeni shtoi: “Ne shpesh flasim për ndarjen e barrës dhe për nevojën e ndarjes së barrës. Kur bëhet fjalë për Ukrainën, kjo është qartazi ajo që e kemi parë dhe që vazhdojmë ta shohim.”
