Stoltenberg në Finlandë: Shqetësimet e Turqisë për terrorizmin janë legjitime
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të dielën se Turqia ka “shqetësime legjitime” për terrorizmin dhe çështje të tjera që duhen marrë seriozisht.
Kujtojmë se, Turqia ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë për mbështetjen e militantëve kurdë dhe thotë se nuk do të mbështesë anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO derisa të ndryshojnë politikat e tyre.
Ndërsa sot, duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinisto, Stoltenberg theksoi se "asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia" dhe vuri në dukje vendndodhjen e saj gjeografike strategjike me fqinjët si Iraku dhe Siria.
“Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportet e armëve”, tha Stoltenberg. “Ne duhet të adresojmë shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve, përfshirë shqetësimet turke për grupin terrorist PKK”.
Pas dekadash mos-angazhimi ushtarak, lufta e Rusisë në Ukrainë e shtyu Finlandën dhe Suedinë të aplikonin për t'u bashkuar me NATO-n në maj. Por, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, akuzon vendet nordike për mbështetjen e militantëve kurdë të konsideruar nga Turqia si terroristë dhe ka vënë veton për hyrjen e tyre në aleancën NATO-s prej 30 anëtarësh.
“Kur një aleat kyç jetik si Turqia ngre shqetësime për terrorizmin, atëherë sigurisht që ne duhet të ulemi dhe t'i marrim ato seriozisht. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne bëjmë”, tha Stoltenberg.
Kërkesat nga Ankaraja drejt Helsinkit dhe Stokholmit përfshijnë gjithashtu heqjen e kufizimeve për eksportet e armëve në Turqi dhe ekstradimin e anëtarëve të disa organizatave kurde që janë kundër qeverisë së Erdoganit.
Në javët e kaluara, shefi i NATO-s është përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjen, por ende nuk ka bërë të ditur nëse ka pasur ndonjë përparim.
Stoltenberg gjithashtu do të vizitojë Suedinë të hënën për të biseduar me kryeministren suedeze Magdalena Andersson.