“Stellantis” thotë se do të investojë 13 miliardë dollarë në tregun amerikan
Prodhuesi i katërt më i madh në botë i veturave, “Stellantis”, ka thënë se do të investojë 13 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme për ta zgjeruar kapacitetin prodhues në Shtetet e Bashkuara, veprim që, sipas kompanisë, do ta shtojë prodhimin për 50 për qind dhe do të krijojë 5 mijë vende të reja pune.
“Stellantis” tha të martën se këto investime do ta mbështesin sjelljen e pesë automjeteve të reja, përfshirë modelin “Dodge Durango” që do të prodhohet në Detroit dhe një model tjetër që do të montohet në Ohio. Vendet e reja të punës do të jenë të shpërndara në fabrikat në Illinois, Ohio, Michigan dhe Indiana, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kompani e formuar para katër viteve e gjysmë nga bashkimi i prodhuesve “Fiat Chrysler” dhe “PSA Peugeot”, po shpreson që t’i kundërvihet një pjese të kostos së pritshme prej 1,5 miliard eurosh nga taksat këtë vit ndaj veturave të prodhuara në Kanada dhe Meksikë përmes forcimit të fitimit në Amerikën e Veriut me hedhjen në treg të modeleve të reja si modeli që ishte nxjerrë nga prodhimi, “Jeep Cherokee”.
Operacionet e kompanisë “Stellantis” në Shtetet e Bashkuara përfshijnë 34 fabrika, qendra për shpërndarjen e pjesëve dhe qendrave të hulumtimit dhe zhvillimit në 14 shtete amerikane.
Nga 16 milionë veturat që prodhuesi “Stellantis” i prodhon në tregun amerikan, 8 milionë prodhohen në fabrikat brenda vendit, 4 milionë në Kanada dhe Meksikë – me numër të madh të pjesëve të prodhuara në ShBA - dhe 4 milionë të tjera importohen nga Evropa dhe Azia dhe pothuajse nuk kanë asnjë pjesë të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.