Spanja ndan shumë dhjetëra milionëshe për viktimat e aksidentit me trenin e shpejtë - NACIONALE

Spanja ndan shumë dhjetëra milionëshe për viktimat e aksidentit me trenin e shpejtë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Spanja do t’u paguajë dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh viktimave të aksidentit që ndodhi këtë muaj me trenin e shpejtë, ku mbetën të vrarë 45 njerëz e mbi 150 të tjerë u lënduan, tha të martën ministri i Transportit, Oscar Puente.

Shteti evropian ende është duke e marrë veten nga katastrofa e 18 janarit në Adamuz, afër qytetit Cordoba, ku ndodhi njëri nga rastet me numrin më të madh të viktimave në aksidente hekurudhore në historinë e re evropiane dhe më i rëndi në Spanjë që nga viti 2013, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Familjet e personave që e kanë humbur jetën do të marrin nga 216 mijë euro secila brenda jo më shumë se tre muajve. Kjo shumë vjen nga 72 mijë euro ndihmë e liruar nga taksat nga Qeveria dhe një pagesë avancë nga sigurimi prej 72 mijë eurosh. 72 mijë euro të tjera do të paguhen nga sigurimi i detyrueshëm i pasagjerëve në udhëtim.

“Ne e dimë se procedurat e zakonshme dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencës jetike të një tragjedie si kjo” – tha ministri Puente, duke shtuar se viktimat nuk mund të presin me vite për ta marrë mbështetjen.

Pagesat për personat e lënduar do të sillen nga 2.400 euro deri në 84.000 euro, sipas ministrit të Transportit.

Puente është ballafaquar me presion publik që nga dita e aksidentit në Adamuz dhe incidente të tjera në të njëjtën javë, përfshirë vdekjen e një vozitësi të trenit në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa të vdekur. Partia kryesore opozitare në Spanjë, Partia Popullore, e ka kërkuar dorëheqjen e tij.

Kur u pyet për të ardhmen e tij, ministri spanjoll tha se ka ndërgjegje të qetë, se është duke e bërë punën e tij në nivelin më të mirë që mundet dhe po bën çdo përpjekje për t’ua komunikuar qytetarëve të gjitha informatat që janë në dispozicion./Nacionale

Lajme të ngjashme