Spanja, Irlanda, Sllovenia e Malta pajtohen që të punojnë drejt njohjes së Palestinës
Spanja është pajtuar me udhëheqësit e Irlandës, Sllovenisë dhe Maltës që të bëhen hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez, tha të premten kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pas një takimi të Këshillit Evropian në Bruksel.
Duke folur për Spanjën, Sanchez-i tha se pret që njohja të ndodhë gjatë legjislaturës së tanishme 4-vjeçare, që filloi vitin e kaluar, raporton agjencia “Reuters”.
Ai iu tha gazetarëve se marrëveshja u arrit pas takimit me homologët e tij nga Irlanda, Sllovenia e Malta në margjinat e takimit të Këshillit Evropian të premten në mëngjes.
“Ne jemi të pajtuar që rruga e vetme për të arritur paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajon është përmes zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete, me shtetet e Izraelit e Palestinës duke jetuar krah për krah, në paqe dhe siguri” – thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Irlanda pas takimit.
Shtetet arabe dhe Bashkimi Evropian u pajtuan në një takim në Spanjë në nëntor se një zgjidhje me dy shtete është përgjigjja për konfliktin izraelito-palestinez.
Nga viti 1988, 139 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur shtetësinë palestineze.