Sot mblidhet NATO-ja, shqyrtohet plani 100-miliardësh për Ukrainën - NACIONALE

Sot mblidhet NATO-ja, shqyrtohet plani 100-miliardësh për Ukrainën

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s pritet të takohen të mërkurën për të diskutuar se si të sigurohet përkrahje ushtarake afatgjate për Ukrainën, përfshirë një propozim për financim 5-vjeçar me 100 miliardë euro dhe një plan që shihet si mënyrë për ta mbrojtur ndihmën për Kievin nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Propozimet nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do t’i jepnin aleancës perëndimore një rol më të drejtpërdrejtë në bashkërendimin e furnizimit të Ukrainës me armë, municion e pajisje, thonë diplomatët, raporton agjencia “Reuters”.

Planet do të diskutohen gjatë një takimi dyditor në Bruksel ku edhe do të festohet 75-vjetori i themelimit të organizatës dhe do të bëhen përgatitje për samitin e aleancën që do të mbahet në korrik në Uashington.

“Ne duhet ta ndryshojmë dinamikën e përkrahjes sonë. Duhet të garantojmë asistencë të besueshme dhe të parashikueshme të sigurisë për Ukrainën në aspektin afatgjatë, në mënyrë që të mbështetemi më pak te kontributet vullnetare dhe më shumë te zotimet e NATO-s. Më pak te ofertat afatshkurtra dhe më shumë te zotimet shumëvjeçare” – tha sekretari Stoltenberg.

Ai shtoi se ministrat do të diskutojnë se si do të mund të merret NATO-ja më shumë përgjegjësi për bashkërendimin e pajisjeve dhe trajnimeve ushtarake për Ukrainën. Ai refuzoi që t’i komentonte nivelet e financimit dhe tha se qëllimi është që një vendim të merret në samitin e korrikut.

Sipas këtyre planeve, NATO-ja do të merrte përsipër një pjesë të punës së bashkërendimit nga një koalicion ad-hoc i udhëhequr nga ShBA-ja, i njohur si grupi i Ramstein-it – lëvizje e planifikuar pjesërisht për t’iu kundërvënë ndonjë pakësimi të mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara, nëse ish-presidenti Donald Trump kthehet në pushtet, thanë diplomatët.

Deri më tani, NATO-ja si organizatë është përqendruar në ndihma jovdekjeprurëse për Ukrainën nga frika se një rol më i drejtpërdrejtë do të mund të nxiste eskalim tensionesh me Rusinë. Vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës armë me vlerë të miliarda dollarëve në bazën e marrëdhënieve dypalëshe.

Diplomatët thanë se është një pikëpamje gjithnjë më e gjerë brenda NATO-s se është koha që ndihma ushtarake për Ukrainën të vihet në rrugë më të qëndrueshme dhe se aleanca është vendi më i mirë për ta bërë këtë.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i cili do të marrë pjesë në takimin e Brukselit, tha të martën në Paris se NATO-j po shqyrton masa që do të mund të shërbenin si “urë e nevojshme” për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

NATO-ja ka deklaruar se Ukraina nuk mund të bëhet pjesë e aleancës gjatë kohës së luftës me Rusinë, por se vendi do të anëtarësohet në të ardhmen.

“Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Pyetja është kur, jo nëse” – tha të mërkurën sekretari Stoltenberg.

Diplomatët e tërhoqën vërejtjen se diskutimet për propozimin 100-miliardësh janë në fazë të hershme dhe se është e paqartë nëse kjo shifër do të pranohet ose si do të financohet. “Një fond 100-miliardësh duket shumë optimist” – tha një diplomat./Nacionale

Lajme të ngjashme