Sondazhi i ri: Garë e ngushtë mes Trumpit e Bidenit, por Joe rrezikohet nga nipi i Kennedy-t
Një përballje e re mes presidentit Joe Biden të ShBA-së dhe ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të sillte një garë të ngushtë mes tyre, sipas një ankete të re nga agjencia “Reuters” dhe organizata “Ipsos”.
Sipas anketës, Trumpi ka përkrahje më të madhe se Bideni për 2 për qind – 38 për qind me 36 për qind – ndërsa 26 për qind e pjesëmarrësve thanë se nuk ishin të sigurt ose do të mund të votonin një kandidat tjetër, raporton agjencia “Reuters”.
Në këtë sondazh, që u zhvillua përmes internetit në periudhën prej 5 deri më 11 dhjetor, u përfshinë 4 mijë e 411 persona të rritur amerikanë në mbarë vendin, ndërsa përqindja e pasaktësisë së mundshme është dy për qind.
Në bazë të sondazhit, Trumpi është bindshëm kandidat favorit për t’u bërë i nominuar i Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Në përgjithësi, sondazhi shfaqi apati të thellë në mesin e shumë votuesve rreth një përballjeje të mundshme mes Bidenit e Trumpit. Rreth 60 për qind e pjesëmarrësve thanë se nuk ishin të kënaqur me sistemin dypartiak të vendit dhe se donin një zgjedhje të tretë.
Kandidatura e pavarur e nipit të ish-presidentit Kennedy, Robert F. Kennedy Jr., sipas anketës, mund të tërheqë më shumë përkrahje nga Bideni sesa nga Trumpi.
Epërsia e Trumpit ndaj Bidenit u zgjerua dhe shkoi në 5 për qind, kur pjesëmarrësve iu dha opsioni për ta votuar Kennedy-n.
Rreth 16 për qind e pjesëmarrësve e zgjodhën Kennedy-n, kur iu dha mundësia për ta votuar atë, ndërsa Trumpi mori 36 për qind përkrahje. Bideni mbeti me vetëm 31 për qind.
Megjithatë, Kennedy ballafaqohet me sfidën e sigurimit të nënshkrimeve të mjaftueshme në të gjitha 50 shtetet për t’u futur në listën zgjedhore.