“Sondazhe të rreme”: Trumpit s’i pëlqen mbështetja e ulët e amerikanëve për luftën
Në kohën e shenjave se amerikanët janë gjithnjë më të pakënaqur me luftën kundër Iranit, presidenti Donald Trump të hënën tha se sondazhet janë të rreme.
“Ata më japin sondazhe të rreme. Ata bënë një sondazh për luftën me Iranin the thanë se vetëm 32 për qind të njerëzve u pëlqen ajo. Epo, mua nuk më pëlqen ajo dhe s’më pëlqen lufta, por ne jemi të pajisur më mirë dhe e kemi ushtrinë më të mrekullueshme në botë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton televizioni CNN.
Ai pretendoi se pyetjet e sondazheve janë të anshme, kundër tij, duke shtuar se organizatorët do të duhej t’i pyesnin amerikanët nëse besojnë që Irani duhet të lejohet për të pasur armë bërthamore.
“Nuk do të ishte 32 për qind, por edhe nëse do ta thoshit këtë, do të ishte 32 për qind, sepse sondazhet janë të rreme. Dua të them, janë tërësisht të rreme” – shtoi Trumpi.
Komentet e tij e paraqesin kritikën e dytë të zgjeruar ndaj sondazheve për luftën me Iranin ditëve të fundit, edhe pse nuk ishte e qartë se për cilat sondazhe foli presidenti. Sipas një sondazhi të publikuar të premten, vetëm 36 për qind e pjesëmarrësve thanë se besojnë që ShBA-ja e bëri gjënë e duhur me përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit.
Të hënën, presidenti e minimizoi vështirësinë për të siguruar përfundim të përhershëm të luftës, duke pretenduar se kritikët e tij po tregohen shumë të padurueshëm.
“Ne tash për tash kemi një luftë dhe jemi në gjashtë javë, apo jo? Ata thonë: pse po zgjat kaq shumë? Ishim [në luftë] në Vietnam 19 vjet. Ishim në Irak për shumë vjet, 10, 12 vjet. Ishim në të gjitha këto luftëra të ndryshme, Koreja, shtatë vjet. As nuk po e përmend Luftën e Dytë Botërore” – tha Trumpi.