Sondazh interesant: Shumica e izraelitëve tani e përkrahin Bidenin, jo Trumpin - NACIONALE

Sondazh interesant: Shumica e izraelitëve tani e përkrahin Bidenin, jo Trumpin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas një sondazhi të mbajtur të mërkurën, 40 për qind e izraelitëve duan që Joe Biden ta fitojë mandatin e dytë si president i ShBA-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa vetëm 26,2 për qind e pjesëmarrësve e përkrahin ish-presidentin Donald Trump.

Rezultatet e kësaj ankete treguan ndryshim të madh të përkrahjes së izraelitëve për presidentin e tanishëm amerikan, i cili ka bërë një varg veprimesh përkrahëse ndaj Izraelit që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ndërsa paraardhësi i tij është tallur në tubime me dështimin e inteligjencës izraelite dhe e ka kritikuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Trumpi dikur gëzonte përkrahje dërrmuese nga izraelitët. Sipas një ankete të mbajtur në vitin 2020, 63 për qind e izraelitëve e kishin parapëlqyer atë, ndërsa vetëm 17 për qind Bidenin.

Rezultatet e anketës së re duket se paraqesin një rast tepër të rrallë – të parin në të paktën dy dekada – kur publiku izraelit favorizon një kandidat të Partisë Demokratike të ShBA-së para një kandidati të Partisë Republikane.

Disa ditë pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, Trumpi i kritikoi autoritetet izraelite për dështim në fushën e inteligjencës. Ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, e quajti “budalla”, ndërsa anëtarët e grupit Hezbollah i lavdëroi, duke thënë se ata janë “shumë të mençur”.

Më pas, disa javë më vonë, gjatë armëpushimit njëjavor mes Izraelit e Hamasit në fund të nëntorit, Trumpi e kritkoi administratën e presidentit Biden që nuk ishte siguruar që shtetasit amerikanë të ishin në grupin fillestar të pengjeve të liruara nga grupi palestinez.

Lajme të ngjashme