Socialisti Maduro i Venezuelës dorëzohet pas protestës së mësuesve, Kurti po mbahet - NACIONALE

Socialisti Maduro i Venezuelës dorëzohet pas protestës së mësuesve, Kurti po mbahet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Muajin e kaluar, mijëra mësues protestuan në Venezuelë për shkak të pagave të ulëta. Ata kishin kërcënuar se do të futeshin edhe në grevë, sepse qeveria u kishte paguar vetëm një pjesë të bonusit vjetor, që e marrin në fund të secilit vit shkollor.

Mësuesit e shkollave publike në mbarë Venezuelën kishin planifikuar që ta shfrytëzonin bonusin vjetor për t’u blerë fëmijëve të tyre uniforma, për të blerë syze të reja ose për t’i riparuar të vjetrat.

Disa prisnin që të merrnin 100 dollarë, ndërsa të tjerët pak më shumë ose më pak, varësisht nga vitet e përvojës dhe kualifikimi, ndonëse vetëm një numër i vogël i mësuesve menduan se do të marrin rreth 200 dollarë, shkruan “Voice of America”, përcjell Nacionale.

Sidoqoftë, qeveria u dha vetëm një pjesë të bonusit. Kështu, disa ditë para përfundimit të pushimit të gjatë veror, mësuesit i filluan protestat në mbarë vendin, duke kërcënuar edhe me greva, kur të fillonte viti i ri shkollor, me mundësinë edhe të braktisjes së profesionit.

“Tash për tash, nuk kam as një laps për fëmijët e mi që ta fillojnë mësimin në shtator”, tha Florena Delgado, mësuese e klasës së parë dhe klasës së pestë, e cila punon në dy shkolla në njërën nga lagjet më të varfra të kryeqytetit, Karakas.

Për t’ia dalë me shpenzimet, ajo përgatit zbukurime për torta, zbukurime me balona dhe shet rroba. “Nuk planifikoj që t’i bashkohem mësimit, le të bëhet ashtu si do Zoti”, tha ajo.

Si përgjigje ndaj protestave të mësuesve, qeveria venezuelase njoftoi në gusht përmes një ligjvënësi se do t’ua paguaj bonusin e plotë mësimdhënësve. Megjithatë, mësuesit e këtij shteti janë mësuar me faktin që premtimet ekonomike nuk mbahen, prandaj kanë vendosur që të presin derisa t’i marrin paratë para se t’i ndryshojnë qëndrimet.

Qeveria u kishte paguar mësuesve vetëm 25 për qind të bonusit vjetor dhe nuk kishte caktuar datë për pagimin e pjesës tjetër.

Para zyrave të Ministrisë së Arsimit, mësuesit dhe profesorët e kolegjeve e kanë kërkuar shkarkimin e ministrit. Disa mësues thanë se nuk kanë marrë as 25 për qind të bonusit.

Protestave të mësuesve u janë bashkuar edhe punëtorët e tjerë, përfshirë besnikët tradicionalë të qeverisë në kompaninë shtetërore të naftës, “Petroleos de Venezuela”. Maicat e kuqe, që për një kohë të gjatë janë lidhur me Partinë e Bashkuar Socialiste të Venezuelës në pushtet, munguan në protestën ku punëtorët e sektorëve të shëndetësisë dhe energjisë shprehën përkrahje për kërkesat e mësuesve.

Presidenti Nicolas Maduro nuk i ka komentuar ankesat e mësuesve, duke zemëruar disa prej tyre. “Ai është punëtor, ai ishte punëtor. Duhet të mbajë në mend se vjen bash nga fundi i shtresës shoqërore”, tha mësuesja e shkollës fillore, Leinni Carreno për Maduron, i cili dikur ishte shofer autobusi dhe udhëheqës sindikal.

Mësuesit dhe profesorët mbajnë nga dy, tre ose madje katër vende pune, por pagat e tyre nganjëherë nuk mjaftojnë as për shportën themelore të ushqimit, që në korrik kushtoi 392 dollarë.

Ndërkohë, për të dytën ditë me radhë, edhe sot shumica absolute e shkollave në Kosovë nuk do t’i presin nxënësit. Mësimdhënësit do ta vazhdojnë grevën duke kërkuar 100 euro shtesë për çdo muaj, deri sa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat. Sindikatat nuk zmbrapsen. As qeveria.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Gjakova vendosi t’i kritikojë ashpër Sindikatat. Tha se çdokush duhet të paguhet vetëm për aq sa punon. Sigurisht duke mos përmendur se rreth 200 zyrtarë serbë nëpër ministritë e qeverisë së tij, morën vitin e kaluar gati 1 milion euro pa shkuar kurrë në punë. Kërkesat e Sindikatës së Arsimit, Kurti i quajti krejt të paarsyeshme.

“E kuptoj që greva është instrument i sindikatave, por sindikatat nuk bën të jenë instrument i bojkotit të Qeverisë e shtetit. Shkolla është shteti, nuk bën të bojkotohet. Është e drejt elementare e çdo fëmije që të edukohet, këtë e parasheh edhe Kushtetuta. Sa i përket Ligjit të Pagave, ai tashmë ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik. Koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se kurdo herë në të kaluarën dhe është më i mirë se në kohën kur Sindikata kishte bërë grevë”, deklaroi mes tjerash Kurti./Nacionale

Lajme të ngjashme