“S’mendoj se ai do të ndalet dhe kjo është shumë keq”: Trumpi i zhgënjyer nga telefonata me Putinin - NACIONALE

“S’mendoj se ai do të ndalet dhe kjo është shumë keq”: Trumpi i zhgënjyer nga telefonata me Putinin

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten herët se është ndarë i zhgënjyer nga një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, sepse nuk duket që ai po synon ta ndalë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes diplomacisë kryesisht kanë ngecur dhe Trumpi është ballafaquar me gjithnjë më shumë thirrje – përfshirë ato nga disa republikanë – që ta shtojë trysninë ndaj Putinit që të zhvillojë bisedime serioze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pasi bisedoi me Putinin të enjten, Trumpi planifikon që të flasë të premten me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, siç tha vetë amerikani para gazetarëve gjatë kthimit në Uashington nga një udhëtim në Iowa.

“Unë jam shumë i zhgënjyer me bisedën që e pata sot me presidentin Putin, sepse nuk mendoj se ai është aty dhe jam shumë i zhgënjyer. Unë thjesht po them që nuk mendoj se ai do të ndalet dhe kjo është shumë keq” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Dy presidentët nuk diskutuan për një pauzë të disa dërgesave amerikane të armëve për Kievin gjatë bisedës gati dyorëshe, sipas një përmbledhjeje të ofruar nga ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov.

Disa orë pas përfundimit të bisedës mes Trumpit e Putinit, një sulm rus me dronë shkaktoi zjarr në një ndërtesë banimi në një pjesë periferike veriore të Kievit, thanë zyrtarët ukrainas, duke dhënë shenjë se pak gjëra kishin ndryshuar në trajektoren e konfliktit.

Në Kiev, dëshmitarët e agjencisë “Reuters” raportuan për shpërthime dhe zjarr të rëndë e të vazhdueshëm të mitralozave, përderisa sistemet e mbrojtjes ajrore luftuan kundër dronëve në qiellin e kryeqytetit ukrainas. Në pjesën lindore të vendit, predhat ruse lanë të vrarë pesë njerëz.

“Nuk bëra fare ndonjë progres me të” – tha para gazetarëve Trumpi, duke iu referuar Putinit./Nacionale

Lajme të ngjashme