Sllovakia dhe Hungaria nuk do të mbështesin sanksionet e BE-së për energjinë ruse
Sllovakia dhe Hungaria thanë të martën se nuk do të mbështesin sanksionet kundër energjisë ruse që Bashkimi Evropian po përgatit për luftën në Ukrainë, duke thënë se ata janë shumë të varur nga ato furnizime dhe nuk ka alternativa të menjëhershme.
Sipas Asocciated Press, dega ekzekutive e BE-së, Komisioni Evropian, ka hartuar propozime të reja për sanksione, të cilat mund të përfshijnë një embargo me faza ndaj naftës ruse. 27 vendet anëtare ka të ngjarë të fillojnë diskutimin e tyre të mërkurën, por mund të kalojnë disa ditë përpara se masat të hyjnë në fuqi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi në Tëitter se komisioni dëshiron të godasë më shumë banka, të shënjestrojë ata që akuzohen për përhapjen e dezinformatave rreth luftës dhe "të trajtojë importet e naftës".
Por, ministri sllovak i Ekonomisë Richard Sulik tha se rafineria e vetme e vendit, Slovnaft, nuk mund të kalojë menjëherë nga nafta bruto ruse në një lloj tjetër nafte, dhe se ndryshimi i teknologjisë do të zgjaste disa vite.
Sllovakia është pothuajse plotësisht e varur nga nafta ruse që e merr përmes tubacionit Druzhba të epokës sovjetike. Hungaria është gjithashtu shumë e varur, megjithëse Gjermania, një tjetër importues i madh i energjisë, tha se mund ta përballonte nëse BE-ja ndalonte naftën ruse, me zyrtarët që ende theksojnë se "është një ngarkesë e rëndë për t'u përballuar".
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se vendi nuk do të votojë për asnjë sanksion "që do ta bëjë të pamundur transportin e gazit natyror ose naftës nga Rusia në Hungari".
“Çështja është e thjeshtë, se furnizimi me energji i Hungarisë nuk mund të rrezikohet sepse askush nuk mund të presë që ne të lejojmë që çmimi i luftës (në Ukrainë) të paguhet nga hungarezët”, tha Szijjarto të martën në Kazakistan. “Për momentin është fizikisht e pamundur që Hungaria dhe ekonomia e saj të funksionojnë pa naftën ruse”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka zhvilluar një reputacion si aleati më i ngushtë i Putinit në BE dhe ka ndjekur lidhje të thella diplomatike dhe ekonomike me Moskën. Orban ka thelluar varësinë nga karburantet fosile ruse, duke vënë në dukje se 85% e gazit të Hungarisë dhe më shumë se 60% e naftës së saj vjen nga Rusia.
Pavarësisht mosmarrëveshjes midis anëtarëve të BE-së për sanksionet e reja energjetike, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u zotua të "thyejë makinën ruse të luftës" duke i larguar vendet në kontinent nga furnizimet me gaz natyror të Rusisë.
Blloku po garon për të siguruar furnizime alternative për energjinë ruse, duke i vendosur prioritet importeve globale të LNG-së nga vende që përfshijnë prodhues të mëdhenj si Algjeria, Katari dhe Shtetet e Bashkuara.
Kjo përfshin objektet e gazit natyror të lëngshëm që po ndërtohen në Greqinë veriore, të cilat Michel dhe krerët e katër vendeve ballkanike vizituan të martën.
“Ne po sanksionojmë gjithashtu Rusinë për të ushtruar presion financiar, ekonomik dhe politik mbi Kremlinin, sepse qëllimi ynë është i thjeshtë: Ne duhet të thyejmë makinën ruse të luftës”, tha Michel.
Ai u takua me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe liderët e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë jo-anëtare të NATO-s në portin grek të Alexandroupolis. Një terminal importi LNG pranë qytetit port do të nisë funksionimin vitin e ardhshëm.
LNG që mbërrin me anije po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi vendet e BE-së kërkojnë të largohen nga furnizimet ruse. Rusia javën e kaluar ndërpreu gazin natyror për Bullgarinë dhe Poloninë.