Skandal i ri 36-milionësh në Ukrainë, arrestohet një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës është arrestuar për përvetësimin e rreth 36 milionë eurove, të cilat ishin të ndara për blerjen e predhave të artilerisë, njoftuan të premten autoritetet në Kiev.
Ky rast vjen në kohën kur ushtria ukrainase po ballafaqohet me mungesë të municionit, raporton gazeta franceze, “Le Monde”.
Sipas prokurorisë, ky zyrtar i lartë, emri i të cilit nuk është zbuluar, akuzohet për “organizimin e një sistemi të përvetësimit të fondeve buxhetore gjatë dhurimit të kontratave publike”.
Devijimi i fondeve lidhet me blerjen e predhave të artilerisë për forcat e armatosura me çmim të fryrë, thuhet në një komunikatë për media të prokurorisë. “Drejtori i njërit prej shërbimeve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes është vënë në ndalim”- tha prokuroria.
Sipas prokurorisë, operacioni i kërkimit nga shërbimet e sigurisë në shtëpinë e të akuzuarit bëri të mundshëm që “të zbuloheshin dokumente që i vërtetojnë aktivitetet ilegale”.
Disa skandale korrupsioni i kanë goditur zyrtarët ukrainas muajve të fundit, sidomos brenda ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Për shembull, janë nisur hetime për furnizimin me municion e jelekë anti-plumb me cilësi të dobët, për blerjen e produkteve ushqimore, uniformave për ushtarë e softuerëve të sigurisë kibernetike me çmime të fryra.
Në fillim të gushtit, të gjithë zyrtarët rajonalë që ishin përgjegjës për rekrutime ushtarake u shkarkuan nga presidenti Volodymyr Zelensky si përpjekje për ta çrrënjosur sistemin e korrupsionit, me të cilin burrave u mundësohej shmangia e shërbimit ushtarak.
Lufta kundër korrupsionit është njëri nga kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për ta shqyrtuar aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Këtij shteti i janë dhuruar miliarda euro ndihma nga Perëndimi që nga fillimi i pushtimit rus.