S’ka më pushime në Sardenja, merr fund miqësia e Berlusconit me Putinin
Miqësia e diskutueshme midis presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-kryeministrit të Italisë Silvio Berlusconi duket se ka marrë fund pas më shumë se dy dekadash admirimi reciprok, pushime familjare dhe vlera të përbashkëta politike.
Thashethemet se marrëdhënia ishte bërë e ftohtë u konfirmuan të shtunën në një konventë të Forza Italia në Romë, kur Berlusconi doli në skenë dhe shqiptoi emrin e Putinit për herë të parë që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.
“Nuk mund dhe nuk dua ta fsheh faktin se jam thellësisht i zhgënjyer dhe i trishtuar nga sjellja e Vladimir Putinit”, tha Berlusconi. “E takova 20 vjet më parë dhe ai gjithmonë dukej një njeri i demokracisë dhe paqes.”

Por 20 vjet miqësi nuk mund t'i rezistonin vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën, duke bërë që ish-kryeministri italian 85-vjeçar të rishqyrtojë aleancën e tij me njeriun që ai e quajti "padyshim nr 1 midis liderëve botërorë" në vitin 2015, dhe dikur e krahasonte me një vëlla të vogël.
“Përballë tmerreve të masakrave civile në Bucha dhe zonave të tjera në Ukrainë, krimeve të vërteta të luftës, Rusia nuk mund të mohojë përgjegjësinë e saj”, tha Berlusconi, duke shtuar se është në interes të saj të identifikojë dhe të gjykojë autorët.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, thuhet se Berlusconi ishte përpjekur shumë herë që ta telefonojë Putinin gjatë muajit të kaluar, por nuk mori përgjigje. Kjo është diçka shumë ndryshe nga ajo që në vitin 2001 u përshkrua si një komunikim i shpeshtë mes dy liderëve.
Ishte korriku i vitit 2001 dhe Berlusconi sapo ishte rizgjedhur si kryeministër për herë të dytë kur Putini i telefonoi për herë të parë për ta uruar.
Me kalimin e viteve bota u mësua me imazhet e çiftit me veshje të relaksuara duke ndarë vaktet e ushqimit dhe duke buzëqeshur gjatë eksplorimit në shtëpinë verore luksoze të Berlusconit në ishullin e Sardenjës. Madje, ish-udhëheqësi Italian për ditëlindjen e 65-të të presidentit rus, i dhuroi atij një jorgan me imazhet e të dyve.

Po kështu, kreu i Forza Italia është pritur në disa raste në Rusi nga Putini. Në vitin 2002, Berlusconi u bë lideri i parë perëndimor që u mirëprit në shtëpinë e Putinit në Soçi, ndërsa në vitin 2003 u publikuan fotot e të dyve me kapele dhe në temperatura nën zero në fshatin Zavidovo. Edhe kur kishte gabime të rënda, skandale dhe lëvizje ekspansioniste, dy burrat janë mbështetur gjithmonë te njëri-tjetri.

Në vitin 2010, jeta private tashmë e diskutueshme e Berlusconit mori një kthesë për të keq, kur raportet e mediave lokale zbuluan se një vajzë e mitur marokene kishte marrë pjesë në festat seksuale të ashtuquajtura "bunga bunga" në shtëpinë e manjatit italian pranë Milanos. Informacione të zbuluara më vonë, sugjeruan se edhe vetë Putini kishte marrë pjesë në të paktën dy nga këto festa. Një vit më vonë, Berlusconi bëri një vizitë te Putini në qytetin port të Krimesë të Sevastopolit në Detin e Zi, kjo ndodhi pak kohë pas aneksimit të gadishullit nga Ukraina, thuhet se të dy liderët festuan me një verë spanjolle që kapte vlerën e 100,000 eurove.
“Në Krime njerëzit falënderojnë Putinin me lot në sy për atë që ai ka bërë”, tha Berlusconi në atë kohë.

Menjëherë pas kësaj, media ukrainase raportoi se shërbimet e sigurisë së vendit e ndaluan liderin italian të hynte në Ukrainë për tre vjet në "interes të sigurisë kombëtare".
Por në raportet e Berlusconit dhe Putinit, nuk ishin vetëm festat dhe darkat luksoze. Raportet e Wikileaks të publikuara në vitin 2010 tregonin se Berlusconi dhe Putin kishin edhe lidhje të forta financiare.
Sipas telegrameve, ambasadori i atëhershëm i ShBA-së në Romë, Ronald Spogli, shkroi në vitin 2009 se kolegët e tij dhe burime të afërta me Berlusconin kishin thënë se "ish-kryeministri dhe miqtë e tij po përfitojnë personalisht dhe mirë nga shumë prej marrëveshjeve energjetike ndërmjet Italisë dhe Rusisë.”
“Ambasadori gjeorgjian në Romë na ka thënë se qeveria e Gjeorgjisë beson se Putini i ka premtuar Berlusconit një përqindje të fitimeve nga çdo tubacion i zhvilluar nga Gazprom në koordinim me ENI,” shkroi Spogli por Berlusconi i mohoi me shpejtësi akuzat.

Sot, provat në rritje të krimeve të mundshme të luftës ruse dhe shkeljeve të pretenduara të të drejtave të njeriut në Ukrainë mund t'i kenë dhënë fund gjithë kësaj, të paktën publikisht.
Tani mbetet për t’u parë nëse Berlusconi dhe Putini do të rilidhen privatisht. Por me shumë mundesi bota nuk do të jetë më dëshmitare e burrave gazmorë që shijonin diellin mesdhetar në brigjet e Italisë, apo brohoritjeve të tyre për ekipin rus në malet e Kaukuazit.
E ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të izolojë Rusinë, mbajtja e lidhjeve me Putinin do t'i ndërlikonte gjërat për ish-kryeministrin italian, veçanërisht ndërsa qeveria italiane ecën përpara në përpjekjen e saj për të shkëputur vendin nga gazi rus, duke dënuar gjithashtu luftën e Putinit.
Javën e kaluar, kryeministri italian Mario Draghi i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë “masakrën e civilëve” duke thënë se “krimet e luftës duhet të ndëshkohen”.
“Presidenti Putin, autoritetet ruse dhe ushtria e saj do të duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre,” tha Draghi.