S'ka infrastukturë, gazi natyror në Pakistan bartet me qese plastike
Në një pjesë të veriperëndimit të Pakistanit, banorët vendas rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre duke dërguar gaz natyror në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të mund të gatuajnë.
Distrikti Karak në provincën Khyber Pakhtunkhwa është i njohur për burimet e tij të pasura të gazit natyror dhe naftës, megjithatë, qeveria ende nuk ka zhvilluar ndonjë sistem të duhur infrastrukturor për t’i furnizuar banorët vendas dhe zonat përreth.
Prandaj këta banorë kanë zhvilluar metoda ‘ad hoc’ si nxjerrja e gazit nga një linjë kryesore furnizimi me një zorrë - në vend të shpimit të duhur - dhe më pas mbushja e qeseve plastike si balona me helium për t'i transportuar ato nga fusha deri në shtëpitë e tyre.
"Ne po mbajmë gaz në këto qese plastike edhe pse të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet e kësaj metode," –ka thënë një banor lokal për Anadoly Agency.

Në këto vende, gazi natyror është zbuluar vite më parë, por qeveria nuk ka zhvilluar asnjë sistem për furnizmin, duke detyruar kështu banorët të përdorin metoda të rrezikshme për jetën.
Sipas Anadolu Agency, për nxjerrjen e gazit, vendasit bëjnë një vrimë në vijën kryesore dhe vendosin një tub duke e marrë atë në një distancë deri te vendi ku mbushin vetë qeset plastike.
Në pamje të parë, këto pamje mund të shihen si balona argëtuese, por në fakt ato janë çanta të mëdha plot me karburant për njerëzit që të gatuajnë ushqimet e tyre.
“Këtë gaz e përdorim me një pompë të lidhur me sobën, duke i vendosur qeset pranë zjarrit gjatë gatimit,” - është shprehur një banor tjetër, duke shtuar se kjo metodë ka sjellë shumë aksidente me njerëz që janë plagosur apo kanë vdekur.
Një qese mbushet me gaz mesatarisht në 20-25 minuta dhe zgjat deri në dy apo tre orë konsum.
