S’ka dyshim që Putini s’do armëpushim e as paqe në Ukrainë, thotë gjermani Pistorius - NACIONALE

S’ka dyshim që Putini s’do armëpushim e as paqe në Ukrainë, thotë gjermani Pistorius

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka paralajmëruar se bisedimet e vazhdueshme për marrëveshje të paqes në Ukrainë mbeten kryesisht “mendim i dëshiruar”, pasi “përpjekjet diplomatike po dështojnë që të sjellin ndonjë përparim domethënës” për zgjidhjen e luftës.

Sipas ministrin gjerman, “e tërë kjo nuk lë dyshim… [se] Vladimir Putini nuk dëshiron armëpushim dhe nuk do paqe për Ukrainën”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Prandaj sot, ne duhet të përqendrohemi në fuqizimin e Ukrainës dhe në forcimin e mbrojtjes së saj” – shtoi Pistorius.

“Qëllimi ynë është që ta shohim Ukrainën duke hyrë në bisedime domethënëse për të arritur paqe të qëndrueshme dhe, për këtë, Ukraina duhet të jetë e fortë. Kjo është përgjegjësi e jona si evropianë. Kjo është një detyrë e kohës sonë” – tha më tej ministri gjerman.

Ai shtoi: “Ne duhet të bëjmë dhe do të bëjmë më shumë për mbrojtjen në Evropë. NATO-ja duhet të bëhet më evropiane me qëllim që të mbetet transatlantike. Kjo është ajo që nevojitet që kontinenti ynë të jetë i plotë, i lirë dhe në paqe.”

Ndërkohë, sipas ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, “Rusia po dështon, duke bërë gabim pas gabimi”.

Kryediplomati gjerman tha se Rusia me vite ka qenë aktive në mënyra më pak të dukshme, por shtoi se të gjitha partitë në vendin e tij – madje edhe ajo e së djathtës ekstreme, AfD – i shohin incidentet e shkeljes së hapësirës ajrore si shkelje sovraniteti që nuk mund të mbrohen dhe se ato kanë rezultuar në bashkimin e njerëzve në një kundërpërgjigje të bashkuar.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, tha se diskutimet e zhvilluara rishtazi mes udhëheqësve evropianë tregojnë se “diçka është duke ndryshuar në shpirtin e evropianëve”.

“Rusia, të gjithë po e shohin, po dështon ushtarakisht, ekonomikisht, politikisht” – tha kryediplomati francez, duke shtuar se Moska në tri vitet e fundit “nuk ka bërë ndonjë progres në vijën e frontit” dhe ekonomia e saj “po kolapson”./Nacionale

Lajme të ngjashme