Siria i dënon sulmet izraelite në tokën e saj: Shkelje flagrante e sovranitetit
Siria i përshkroi sulmet izraelite të së martës në territorin e saj si “shkelje flagrante” e sovranitetit. Ushtria izraelite tha se i është kundërpërgjigjur zjarrit që vinte nga pjesa jugore e Sirisë.
Dhuna afër zonës neutrale të patrulluar nga Kombet e Bashkuara në Rrafshnaltën e Golanit erdhi pas sulmeve ajrore izraelite në pjesën qendrore të Sirisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministria e Jashtme e Sirisë përmes një deklarate e dënoi “agresionin e vazhdueshëm izraelit ndaj territorit sirian, që solli një eskalim të rrezikshëm në fshatin Kuwayya” në provincën jugore Daraa, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Kjo ministri tha se “bombardimet e rënda me artileri e nga ajri shënjestruan zona banimi e bujqësie, duke çuar në vdekjen e gjashtë civilëve”, duke e ngritur numrin e viktimave të raportuar më herët nga autoritetet lokale.
“Ky eskalim vjen në kontekstin e një vargu shkeljesh që filluan me depërtimin e forcave izraelite në provincat Quneitra dhe Daraa, në një agresion të vazhdueshëm ndaj territorit sirian, në shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare” – tha Ministria e Jashtme e Sirisë.
Më herët të martën, ushtria izraelite tha se trupat e saj “identifikuan disa terroristë që hapën zjarr drejt tyre në Sirinë jugore”, pa e treguar vendndodhjen e saktë. “Trupat e kthyen zjarrin si kundërpërgjigje dhe forca ajrore i goditi terroristët” – tha ushtria izraelite në një deklaratë.
Guvernatori i provincës Daraa, Anwar al-Zoabi, tha në një deklaratë se “shkeljet dhe sulmet e përsëritura të ushtrisë pushtuese izraelite ndaj territorit sirian shtynë një grup të banorëve që të përplasej me një forcë ushtarake që u përpoq të depërtonte” në Kuwayya.
Autoritetet provinciale thanë se 350 familje ishin zhvendosur në strehimore në një fshat të afërt./Nacionale