Sipas pamjeve, nga mesi i majit në Mariupol janë hapur 1.400 varre - NACIONALE

Sipas pamjeve, nga mesi i majit në Mariupol janë hapur 1.400 varre

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pamjet e reja satelitore shfaqin zgjerim të një varreze në qytetin e pushtuar ukrainas, Mariupol, sipas një raporti të ri të Qendrës për Qëndrueshmërinë e Informacionit me seli në Britani.

Hulumtuesit e kësaj qendre i përdorën pamjet satelitore për të vlerësuar se rreth 1.400 varre të reja u shtuan në varrezën “Starokrymske” në Mariupol mes 12 majit e 29 qershorit.

Shkencëtarët vlerësojnë se atje po hapen pesë fish më shumë varre se para pushtimit rus, shkruan “The Guardian”.

“Raporti ynë e ilustron presion e vazhdueshëm ekstrem ndaj jetës civile në Ukrainë, sidomos në zonat e pushtuara. Varrosjet e improvizuara dhe numri në rritje i varreve përreth Ukrainës, posaçërisht në zonat e pushtuara dhe përreth tyre, janë ilustrim i zymtë i shifrës së viktimave civile pas pushtimit rus”, tha Benjamin Strick, drejtor i hulumtimeve në CIR.

Në fund të majit, Rusia njoftoi se e ka marrë nën kontroll Mariupolin pas rrethimit që zgjati gati tre muaj dhe që e shkatërroi pothuajse tërësisht qytetin.

Duke i përdorur pamjet e operatorit privat të satelitëve, “Planet Labs PBC”, kjo qendër vlerësoi se numri i varreve në varrezën “Starokrymske” të Mariupolit deri më 12 maj ishte rritur për 1.700 nga fillimi i luftës, ndërsa deri më 29 maj, aty ishin shtuar edhe 1.400 varre të tjera, duke e çuar në 3.100 numrin e përgjithshëm të varreve të hapura nga fillimi i luftës.

Sipas pamjeve, gjatë periudhës së paraluftës, nga 21 tetori deri më 28 mars, në varrezë ishin hapur rreth 1.000 varre.

Që nga koha e pushtimit të plotë të Mariupolit, atje nuk ka pasur më luftime, ndërsa rreth 90.000 ukrainasit e mbetur kanë pak qasje në rrymë, shërbime telefonike, internet, ujë ose kujdes shëndetësor.

Në fund të majit, Petro Andryushchenko, ndihmës i kryetarit të Mariupolit, që tashmë punon jashtë qytetit, tha se rreth 200 trupa të dekompozuar janë gjetur të varrosur në bodrumin e një ndërtese të lartë në Mariupol.

Në përgjithësi, Andryushchenko vlerësoi se 22.000 njerëz kanë vdekur në qytet gjatë luftimeve dymujore. Një person, që po i bashkërendon varrimet në qytet, më parë i ka thënë gazetës “The Guardian” se shifra e përgjithshme mund të jetë afër 50.000.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se mbi 5.000 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Ukraina thotë se shifra e vërtetë është shumëfish më i lartë.

Pak informata dihen për gjendjen në Mariupol, që është shkëputur pothuajse plotësisht nga bota e jashtme për shkak të lidhjeve të kufizuara telefonike e të internetit. Në fotografitë e postuara në Telegram nga një vullnetar ukrainas shihen trupa duke u dërguar për varrosje.

Lajme të ngjashme